Osmani në Klan Debat: Rrezikojmë që Karta Evropiane të mos jetë biletë fituese!

ZGJEDHJET PRESIDENCIALE

Në Maqedoninë e Veriut ka frustrime të mëdha ndaj perëndimit, edhe atë me të drejtë, për shkak se rruga e vendit drejt BE-së ka qenë jo e drejtë dhe jokorrekte – tha mbrëmë në Klan Debat, kandidati presidencial I BDI-së, Bujar Osmani, duke nënvizuar se vetoja e vitit 2019 ka qenë e padrejtë.

Sipas tij, Federata ruse skanon frustrimet ndaj perëndimit në rajon, I mbledh dhe i kanalizon, kurse Maqedonia e Veriut është terren I përshtatshëm për këto veprime. Osmani përmend rrezikun që karta evropiane të mos jetë biletë fituese në zgjedhje.

“Kjo propagandë ose ky ndikim hibrid rus, do të krijojë aq disponim të akumuluar, që do të vijmë deri në pozitën e “vtoro poluvremes”, t`u hakmerremi shqiptarëve ose të bëjmë shtetin njëetnik dhe të promovojnë agjenda alternative. Unë sot e dëgjova Vankovskën që thotë “duhet të dalim nga NATO”, “Kosovën ta çnjohim”, nëse kjo bëhet bilet fitues do të jetë shumë problem serioz” – tha Bujar Osmani, kandidat i BDI-së për president.

Duke komentuar nismat që Presidenti të zgjidhet në Kuvend, Osmani tha se në 30 vitet e fundit në Maqedoni, Presidenti ka qenë burim I krizave dhe gjithmonë është refuzuar nga njëra anë e spektrit politik. Sipas tij zgjedhjet për president janë monoetnike, kurse nëse edhe kësaj radhe maqedonasit votojnë vetëm në vija etnike, nuk ka më shpresë që presidenti do të jetë burim I zgjidhjeve të problemeve në vend.

Por, si e sheh dhe si duhet të jetë sipas Osmanit roli i Presidentit?

“Unë e shoh rolin e presidentit më tepër si Kompas moral I shtetit. E shoh si ind lidhës I narativeve kundërthënëse etnike dhe politike që duhet t`I mbajë bashkë në një harmoni. Dhe, e treta e shoh si një deeskalues I polarizimeve të vazhdueshme etnike politike që e mbajnë peng këtë shtet ndër vite” – tha Bujar Osmani.

Kandidimi i Bujar Osmanit për President të RMV-së, sipas tij, do të thotë realizimi I një ideje të cilës i ka ardhur koha – Presidencialet si referendum për të rrënuar monopolin e fundit etnik. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share