Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, vizitën e tij në Azinë Qendrore e filloi me takimin me Kryetaren e Senatit të Uzbekistanit, Tanzila Narbaeva, njoftojnë nga MPJ.
Në fokus të takimit Osmani-Narbaeva, theksojnë nga MPJ, ishte roli i Senatit në përpjekjet për forcimin e rolit të grave dhe rritjen e sigurisë së tyre, që është edhe një nga prioritetet kryesore të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023.
“Në këtë drejtim, Zyra e Koordinatorit të Projektit të OSBE-së në Uzbekistan, së bashku me Sekretariatin, bashkëpunon me të gjitha institucionet qeveritare për zbatimin e Strategjisë Nacionale për arritjen e barazisë gjinore deri në vitin 2030. Është për t’u përshëndetur edhe miratimi i Planit Nacional të Veprimit për Gra, Paqe dhe Siguri”, tha Osmani në takimin me Narbaevën.
Nga athe thonë se përveç legjislacionit që ka të bëjë me përmirësimin e pozitës së grave në shoqëri, Senati i Uzbekistanit bashkëpunon ngushtë me OSBE-në për t’i zbatuar reformat në fusha të tjera, për forcimin e mbikëqyrjes parlamentare mbi sektorin e sigurisë dhe për ndërtimin e kapaciteteve të përfaqësuesve të Parlamentit në Uzbekistan.
“OSBE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të ODIHR-it, si dhe në fusha të tjera. Qëllimi përfundimtar i mbështetjes që OSBE-ja u jep autoriteteve shtetërore të Uzbekistanit është krijimi i politikave në favor të qytetarëve dhe në drejtim të forcimit të proceseve demokratike”, tha Osmani në takim.
Në kuadër të vizitës në Uzbekistan, shtojnë nga atje, Osmani do të takohet edhe me Presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, si dhe do të mbajë konferencë të përbashkët për media me Ministrin e Punëve të Jashtme, Bakhtiyor Saidov.