“NUK DUHET PRESION NDËRKOMBËTAR PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE”
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani vlerëson se, muajt në vijim vendi do të marrë vendime nëse do të jetë anëtare e plotë të BE-së deri në fund në kësaj dekade apo nuk do të anëtarësohet deri në fund të këtij shekulli, njofton KlanM.
Ai gjatë emisionit Klan Debat tha se në rast se nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, kjo do të fuste vendin në izolim dhe mund të rezultojë që Maqedonia e Veriut të mos integrohet në BE edhe për shumë dekada.
“Plani B është të mos ketë ndryshime kushtetuese. Kjo e fut vendin në një izolim më të gjatë për shkak se në nëntor do të ndërpriten negociatat për ne, do të vazhdojnë për Shqipërinë, në ndërkohë është krijuar një rrugë më e përshpejtuar për anëtarësim në BE, kryesisht për shkak të Ukrainës, por edhe pak për të nxitur dialogun Serbi-Kosovë” – tha Bujar Osmani.
Megjithatë, sipas Osmanit, opozita nuk do të mund të argumentojë para qytetarëve se pse e bllokon të ardhmen evropiane të vendit sepse për të marrë një vendim të tillë, duhet të ketë argumente serioze.
Sa i përket rolit të ndërkombëtarëve në këtë proces, sic percjell KlanM, për vendimet me rëndësi për fatin e vendit, nuk duhet të bëhen me presion ndërkombëtar, sepse sipas tij, vendi dhe politikanët në vend janë mjaft të pjekur për të kuptuar rëndësinë e vendimeve që i miratojnë.
“Sigurisht se komuniteti ndërkombëtar ka ndihmuar në komunikimin, në paraqitjen e skenareve të ndryshme, varësisht prej vendimeve tona, por unë kujtoj se pas nisjes së debatit publik edhe qytetarët do e kuptojnë qartë se për çfarë bëhet fjalë në këto ndryshime kushtetuese” – tha Bujar Osmani.
Ndërkaq, duke folur për rëndësinë e Korridorit 8, ai tha se ky nuk është vetëm projekt kombëtar i shqiptarëve, por projekt shumë i rëndësishëm për rajonin dhe më gjerë. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Teuta Buçi