Në një ditë të rëndësishme si Samiti i Diasporës nuk mund të mungonte fjala e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
“Mërgata jonë është sublimim i përpjekjeve të gjata dhe të kahershme për liri, për pavarësi dhe shtetndërtim”, tha ajo në nisje të fjalës së saj
“Mërgata shqiptare është simbol i qëndrueshmërisë, i forcës dhe shpirtit të palëkundur të kombit dhe popullit tonë”, shtoi ajo.
Presidentja Osmani theksoi ndër të tjera se mërgata shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm në secilin shtet ku jetojnë apo veprojnë shqiptarët duke arritur në këtë mënyrë suksese.
“Mërgata jonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në shtetet ku jeton dhe vepron duke vepruar me aftësitë, njohuritë dhe përkushtimin e palëkundur të punës në fushat e ndryshme. Pavarësisht sfidave, mërgata shqiptare ka mbetur thellësisht e lidhur me atdheun duke i mbetur besnike rrënjëve”, tha ajo.
Osmani theksoi se në Kosovë në vitet ’90, mërgata shqiptare mbajti gjallë sistemin paralel të kulturës dhe arsimit.
“Mërgata mbajti gjallë idenë politike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Secili mërgimtar ishte një ambasador i Kosovës në hapjen e së vërtetës dhe të drejtën tonë për liri dhe pavarësi”, u shpreh ajo./tvklan.al