Osmani me kryeministrat e Holandës e Luksemburgut diskutojnë për situatën aktuale të sigurisë në veri

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka pritur në takim kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, dhe homologun e tij nga Luksemburgu, Xavier Bettel.

Takimi trepalësh u fokusua në situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vend, forcimin e marrëdhënieve trepalëshe, nxitjen e bashkëpunimit dhe diskutimin në fushat kryesore me interes të përbashkët.

Presidentja Osmani falënderoi Holandën dhe Luksemburgun për mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe nënvizoi vlerat dhe qëllimet e përbashkëta që lidhin të tri vendet evropiane së bashku.

Më tej, Presidentja Osmani theksoi se  aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE, janë orientim strategjik, ndaj shtroi nevojën e mbështetjes dhe përshpejtimit të anëtarësimit të Kosovës në këto dy organizata.

Një pjesë e diskutimit me dy kryeministrat u fokusua në situatën aktuale të dhe të sigurisë në veriun e vendit.

Presidentja Osmani tha se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit dhe se vendosja e rendit dhe e ligjit është në përputhje me investimin ndër vite të  shteteve të BE-së me qëllim të promovimit, mbrojtjes dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës që sfidat t`i tejkalojnë me partnerë dhe aleatë.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani potencoi se sulmet ndaj Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, qytetarëve dhe gazetarëve nga strukturat ilegale dhe kriminale në veri të vendit, nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar.

Kurse në raport me procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani tha se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, derisa Serbia refuzon zbatimin e marrëveshjeve të arritura, sikurse edhe shkelë marrëveshjen e fundit të Brukselit të arritur në Ohër.

Presidentja Osmani dhe kryeministrat Rutte e Bettel, diskutuan edhe për mundësitë për rritjen e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.

Takimi i Presidentes Osmani me kryeministrat Rutte dhe Bettel u përmbyll me rikonfirmimin e përkushtimit të përbashkët për avancimin e bashkëpunimit, nxitjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon e më gjerë.

Fillimisht ata në Aeroportin e Prishtinës janë pritur nga kreu i Qeverisë, Albin Kurti me të cilin do të takohen edhe më vonë në ndërtesën e Qeverisë ku edhe do të mbajnë konferencë për medie.

Vizita e liderëve të Holandës dhe Luksemburgut vjen në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.

Tensionet nisën në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut nën asistimin e policisë hynë në ndërtesat komunale, pavarësisht kundërshtimit të serbëve lokalë.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet dhe të organizohen zgjedhje të reja në katër komunat në veri.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share