Osmani mbledh nënshkrimet e nevojshme për kandidat për President

Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi, informoi sot se, kjo parti tash më ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për të paraqitur në KSHZ kandidaturën e Bujar Osmanit për president të shtetit. Ademi ka bërë të ditur se, nuk heqin dorë nga ideja e tyre që, presidenti i vendit të zgjidhet në Kuvend me 2/3 e votave dhe me Badenter.

“Kjo do të mundësojë një President me legjitimitet të plotë, kursim prej mbi 20 milionë euro në shtet, dhjetëra mijëra qytetarë do të kursehen nga procesi i mbledhjes së nënshkrimeve, të gjithë qytetarët do të kursehen nga fushata dhe pjesëmarrja në zgjedhje për një funksion protokollar”, tha Arbër Ademi.

Ai tha se për ndryshimin e Kushtetutës, me të cilin, përpos futjes së bullgarëve në Kushtetutë, do të përfshihej edhe ndryshimin e modelit të zgjedhjes së presidentit të shtetit, nevojiten votat e të gjithëve.

“Na duhet të gjitha votat, si të shqiptarëve, ashtu edhe të maqedonasve dhe të gjithë të tjerëve, për të mundësuar ndryshimin e Kushtetutës, në të njëjtën kohë edhe për zgjedhjen e presidentit edhe për amandamentet kushtetuese që dalin nga Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë për të vazhduar me vendosshmëri drejt Bashkimit Europian”, tha Arbër Ademi.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) në përfundim me ditën e djeshme deri në orën 20 gjithsej 38.396 qytetarë kanë dhënë nënshkrim për parashtruesit e kandidaturës për president të shtetit.

Procedura për mbledhjen e nënshkrimeve, që fillon më 23 shkurt, do të zgjasë çdo ditë pa ndërprerë nga ora 8 deri në 20, ndërsa në ditën e fundut më 8 mars do të punojnë deri në orën 24. Mbledhja e nënshkrimeve zhvillohet në të gjitha zyrat e KSHZ-së të vendosura në selitë e 34 vetëqeverisjeve lokale dhe para noterëve kompetentë./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share