“GJUHA MAQEDONASE DO TË JETË E BARABARTË ME GJUHËT TJERA NË BE”
Pasi propozimi evropian u shpalos para partnerëve të koalicionit dhe para gazetarëve, u hapën disa dilema kryesisht nga opozita maqedonase, e këto dilema edhe sot u mundua që ti qartësoj Ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani. E tema kryesore sërish ishte gjuha, raporton Klan M.
”Dëgjova na akademikë, profesorë mbrëmë se gjuha nuk është ashtu siç duhet, ka fusnotë, ka pasur kualifikime. Dobia më e madhe nga ky proces, për të cilin kanë luftuar gjenerata, për të cilin ne kemi luftuar 90% prej kohës tonë është që të mbyllet njëherë e përgjithmonë çështja e gjuhës. Ne mund të themi se askush nuk ka të drejtë të kontestoj një gjuhë, por unë ju them që në Bashkimin Evropian, deri më tani, asnjëherë nuk është nënshkruar një dokument evropian në të cilin qëndron gjuha maqedonase, do të qëndroj në tabelën në Bashkimin Evropian, ashtu siç qëndrojnë gjuhët tjera, do të ketë edhe një sustë për gjuhën maqedonase, gjithmonë, në të gjitha dokumentet” – deklaroi Bujar Osmani.
Osmani tha se të gjitha pohimet se ka fusnotë për gjuhën janë të pavërteta. E konfirmoi se do të ketë deklaratë të njëanshme nga pala bullgare për gjuhën por ajo nuk do të jetë pjesë e kornizës biseduese me BE-në. Pikërisht kjo ka qenë edhe qëllimi i palës së Republikës së Maqedonisë, që qëndrimi bullgar për gjuhën, mos të imponohet si qëndrim i BE-së.
Me reagim sot doli edhe Kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
‘‘U paraqitën shumë gënjeshtra dhe spekulime për propozimin francez. Dua që të jem i qartë: Me këtë propozim, gjuha maqedonase është absolutisht e pastër dhe e barabartë me të gjitha gjuhët tjera në Evropë. Gjuha maqedonase do të jetë gjuhë zyrtare e Unionit Evropian. Nuk ka asnjë fusnotë dhe asnjë gjë shtesë, këto janë vetëm gënjeshtra” – tha Kovaçevski.
Shefi i diplomacisë do të tentojë që të kontaktojë me opozitën që sot, e sipas planit, Kryeministri do të duhet ta shpalos propozimin e ri evropian para opozitës nesër.
Osmani pret që sot të takohet edhe me kreun i institucionit ligjdhënës, që të përcaktohet forma se si do të vijojnë konsultimet me Kuvendin.
Sapo ti jepet dritë jeshile shefit të diplomacisë nga ana e Qeverisë, ai mundet që në ditën e ardhshme të organizojë takim me homologët bullgar për nënshkrimin e protokollit, e më pas, pala bullgare do të aprovojë kornizën biseduese për Maqedoninë e Veriut. E në ndërkohë, Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, nesër ka thirrur seancë të Këshillit të sigurisë, e pas seancës pritet që të prononcohet për propozimin evropian. /KlanMacedonia/