Osmani: Hapja e klubeve është rrugë e gabuar për marrëdhëniet me Bullgarinë

JAVËN E ARDHSHME PARALAJMËRON TAKIM ME PARTITË POLITIKE NË SOFJE

Shefi i diplomacisë Bujar Osmani ka paralajmëruar vizitë pune në Sofje, ku do të dëshironte të takohet me liderët e partive politike në Bullgari, të cilat edhe pas zgjedhjeve të katërta të jashtëzakonshme nuk arritën të formojnë qeveri. Qëllimi, siç theksoi, është të parandalohet që marrëdhëniet dypalëshe të ecin të drejtimin e gabuar, pas tensioneve që ka shkaktuar hapja e klubeve të Bullgarëve dhe të Maqedonasve në të dyja vendet.

Hapja e klubit të Maqedonasve në Bllagoevgrad, në Bullgarinë fqinje, pas çka vijoi mbyllja e shoqatës maqedonase nga ana e Sofjes zyrtare, është pasojë e “rrethit vicioz” në të cilin kanë hyrë të dyja shtetet pasi edhe në vend u hapën disa klube të bashkësisë bullgare, me emra provokues. Këtë proces, sipas Ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani, e kanë nxitur persona të dyshimtë, por edhe qarqe politike, të cilat i kanë dëmtuar bashkësitë.

“Në fund ata që do të dëmtohen më shumë janë pikërisht qytetarët, pikërisht Maqedonasit në Bullgari. Tani le të dalin ata që shkuan atje t’i motivojnë, ata politikanë që shkuan të mbledhin pikë politike. Le t’ua sqarojnë njerëzve pse u është mbyllur shoqata. Sepse që nga fillimi ua kam vënë në dukje se kjo është rrugë e gabuar. Nuk mundet shoqatat e dy personave nga Kanadaja, 5 mijë kilometra prej këtu t’i dinë çështjet tona më mirë. Ne e kemi ditur se ky është sabotim i interesave të bashkësisë”, deklaroi Ministri i punëve të Jashtme të RMV-së, Bujar Osmani.

Osmani paralajmëroi se javën e ardhshme do të shkojë për vizitë pune në Sofje, ku ende, edhe pas zgjedhjeve të katërta të jashtëzakonshme brenda dy viteve nuk është formuar qeveri, me qëllim që të parandalohen hapa provokues.

“Krahas përfaqësuesve të qeverisë, dëshiroj t’i takoj edhe partitë politike me qëllim që të bisedojmë hapur për të gjitha aspektet në mënyrë që të mos keqpërdoret kjo dinamikë aktuale ose dinamika e brendshme e polarizuar në Bullgari që të ndërmerren hapa të cilët më pas mund të na shpiejnë në drejtim të gabuar”, deklaroi Ministri i punëve të Jashtme të RMV-së, Bujar Osmani.

Në konferencën e përbashkët për shtyp mes ministrit të Punëve të Jashtme të RMV-së, Bujar Osmani dhe Muhtar Tleuberdi, shefi i diplomacisë së Kazakistanit, u njoftua se në kushte të tregjeve të dëmtuara globale me energji dhe ushqim, të dyja vendet punojnë në përforciminin e bashkëpunimit në fushën e biznesit  dhe në përmirësimin e lidhjes së transportit në mes Ballkanit Perëndimor dhe Azisë Qendrore./KlanMacedonia/

Përgatiti: Biljana Georgievska

Lexo gjithashtu
Total
0
Share