Osmani: Deri në frymën e fundit për hapjen e negociatave

“NËSE NUK HAPEN KAPITUJT, PËRGJEGJËSINË DO TA MBAJNË DEPUTETËT ME EMRA DHE MBIEMRA”

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani deklaroi sot se, Këshilli i Evropës ka miratuar me konsensus letrën për Maqedoninë e Veriut, që është një hap i rëndësishëm në rrugën e hapjes së negociatave dhe se në bazë të saj, vendi i përgatit udhërrëfyesit që duhet t’i dorëzojë Komisionit Evropian, gjë që është obliguese për hapjen e kapitujve.

Megjithatë, Osmani përsëriti se, ndryshimet kushtetuese janë kyçe për fillimin e negociata dhe nëse vendi nuk e arrit këtë, atëherë siç tha ai, përgjegjësinë e plotë historike do ta bartin deputetët e caktuar dhe partitë e caktuara në kuvend konkretisht me emër dhe mbiemër.

“Mendoj se çdokush prej nesh duhet të paraqitet dhe të drejtojë gishtin drejt atyre personave, drejt asaj partie politike që rrezikon ardhmërinë evropiane dhe pse mendoj kështu!? Sepse, momenti gjeopolitik është i papërsëritshëm për korsinë e shpejtë serioze për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 dhe nuk jam i sigurt se momentumi i njëjtë gjeopolitik do të ruhet edhe vitin e ardhshëm” – deklaroi Bujar Osmani.

Ai shtoi se, pa ndryshimet kushtetuese, ne nuk do të mund ta mbajmë konferencën e dytë ndërqeveritare, në të cilën do të prezantohet korniza negociuese, me qëllim që më tej të hapen kapitujt.

“Unë nuk mundem prej tani të them se po e lëshojmë këtë rast, unë mendoj se duhet të punojmë deri në frymën e fundit, deri në gurin e fundit që është para nesh që t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese dhe të bëjmë hapë përpara në këtë shans. Por, nëse nuk arrijmë, do të duhet me emër dhe mbiemër t’i themi ata të cilët rrezikojnë ardhmërinë evropiane, që bllokojnë prosperitetin e këtij shteti, që i bllokojnë reformat, sundimin e së drejtës, standardin e jetës së qytetarëve dhe i detyrojnë të largohen nga Maqedonia” – tha Bujar Osmani.

Procesi i ndryshimeve kushtetuese është në procedurë parlamentare, megjithatë shumica qeverisëse nuk ka siguruar ende votat e nevojshme për miratimin e këtyre ndryshimeve. Opozita maqedonase kundërshton këto ndryshime, pasi vlerëson se ato janë “nën diktatin bullgar”. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share