MEKANIZMI I BALANCUESIT
Fronti Evropian nuk do të lejojë që të hiqet balanceri, deklaroi sot kandidati për president nga BDI, Bujar Osmani.
Ai tha se mekanizmi i balancerit, që del nga Marrëveshja e Ohrit, për vite ka garantuar përfaqësimin e drejtë të etniteteve në vend dhe nuk do të lejojnë që të diskutohet kjo çështje.
“Debati për eliminimin e balancerit është ofendimi më i madh që mund t’u bëhet komuniteteve në vend dhe diversitetit të këtij vendi. Këto janë teza raciste, etnofobe dhe albanofobe të cilat po i paraqet vizioni i izolimit dhe ritensioneve ndëretnike” – tha Bujar Osmani, kandidat për President.
I pyetur se, çka nënkupton formimin e një qeverie për shpëtim kombëtar dhe cilat parti do të bënin pjesë në të, Osmani tha se nëse i fiton zgjedhjet, do të ftojë të gjithë liderët në takim për të gjetur zgjidhje.
“Nëse e fitoj besimin e qytetarëve si president, puna e parë që do të bëjë do t’i ftojë dhe do t’i mbyll, thënë kushtimisht, liderët e partive politike dhe aktorët kryesorë në kabinetin presidencial dhe ai takim do të zgjasë nëse duhet me ditë, javë dhe muaj por nuk do të dalim nga ajo mbledhje, nëse nuk ia shtrijmë dorën njëri tjetrit, derisa nuk arrijmë konsensus mbi etnik, mbi partiak dhe shtetëror” – tha Bujar Osmani, kandidat për President.
Osmani dje në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se nuk do të ketë Qeveri pa marrëveshje për ndryshimet kushtetuese dhe do të përdoren të gjitha opsionet, nga mundësia e formimit të një qeverie kombëtare deri tek ajo e shpëtimit. /tvklan.mk/