“Diplomacia është edhe punë në terren me njerëzit”
Objektivi kryesor i kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në është afrimi i kësaj organizate me njerëzit e zakonshëm – tha Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, intervistën për “Global Europe” që drejtohej nga ish-Ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker.
“Një vend pjesëmarrës bllokoi dy misione në Ukrainë. Por ne nuk qëndruam duarkryq, por gjetëm zgjidhje për t’u kthyer në Ukrainë, për të ndihmuar ukrainasit, popullin ukrainas dhe institucionet e ukrainasve. Diplomacia nuk është vetëm diplomatë që ulen në tavolinë dhe diskutojnë politikat publike, por është edhe punë e përditshme me njerëzit në terren”, ka theksuar Osmani.
Pyetjes së Riker, për rëndësinë e rolit të Shteteve të Bashkuara në Organizatë, Osmani u përgjigj:
“Kjo ka qenë një nga çështjet që kemi diskutuar në Uashington, por edhe një muaj më parë kur kam prezantuar prioritetet e Maqedonisë së Veriut para Komitetit të Helsinkit. U ktheva në Shkup edhe më i sigurt për të ardhmen e organizatës, i sigurt se Shtetet e Bashkuara janë atje dhe do të vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në OSBE. Pra, kjo sjell besim për të gjithë ne, në kontinent dhe në organizatë. Ne punojmë shumë ngushtë në Vjenë, si dhe në Shkup e Uashington, me një qëllim të përbashkët se si mund ta çojmë përpara agjendën e OSBE-së”, është shprehur Bujar Osmani.
Ndër të tjera, Osmani foli për progresin e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar historinë e suksesit të demokracisë funksionale multietnike, kulturën e dialogut, marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Ministri ka bërë me dije se çdo sukses i vendit tonë ka vulën e Uashingtonit, Brukselit, OSBE-së dhe organizatave tjera./KlanMacedonia