Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka folur rreth procesit të themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ajo theksoi se për krijimin e Asociacionit duhet të ndiqet një procedurë e caktuar. Fillimisht, qeveria duhet të miratojë një akt që dokumentin e themelimit ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Osmani gjithashtu theksoi se krijimi i Asociacionit nuk duhet të çojë në koncesione që e dëmtojnë funksionalitetin e Kosovës dhe parimet kushtetuese. Ajo shtoi se Kosova mund të ecë përpara me Asociacionin nëse partnerët ndërkombëtarë ofrojnë garanci të qarta të sigurisë dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vet aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, sidomos ai i vitit 2015, e kanë sqaruar procedurën. Pra, duhet të ketë një akt nga ana e Qeverisë, që e miraton atë dokument dhe pastaj unë mund ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, por jo pa një akt të tillë fillimisht. Kështu kanë qenë praktikat pas vitit 2018 e tutje. Mirëpo duhet ta them qartë – që krijimi i Asociacionit nuk nënkupton që Kosova është e gatshme të bëjë koncesione që e dëmtojnë funksionalitetin e saj, kufijtë e saj, parimin e unitaritetit të shtetit dhe parimet që janë në Kushtetutën aktuale dhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Osmani.
Osmani theksoi se dialogu Kosovë-Serbi është një aspekt i rëndësishëm, por nuk duhet të reduktohet vetëm në këtë marrëdhënie. Për të ardhmen e Kosovës, ajo vlerësoi se bashkëpunimi me aleatët, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është kyç për të arritur paqe dhe stabilitet rajonal.