Më shumë se 10 organizata civile kërkojnë që Qeveria të ndalojë importin e automjeteve të përdorura më të vjetra se 10 vjet dhe nën standardin “EURO 5” dhe të kufizojë importin e automjeteve të reja me minimumin “EURO 6”.
Në kërkesë ata sqarojnë se ndotja e ajrit është e lartë në vend dhe është shkaktar i një sërë sëmundjesh dhe vdekjesh te popullata.
“Më të ekspozuarit ndaj këtyre substancave toksike janë qytetarët që ecin ose lëvizin me biçikletë përgjatë rrugëve, që presin në vendkalime. Fëmijët janë veçanërisht të ekspozuar, sepse këto emetime lëshohen në lartësinë e fytyrave të tyre dhe ata i thithin ato drejtpërdrejt. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve duhet të jetë para të gjithave”, thuhet në kërkesën e tyre.