Kryeministri i Hungarisë rrëfen pse hoqi veton për ndihmat: Do na bllokonin fondet tona
Në një intervistë për radion shtetërore duke reaguar për arritjen e marrëveshjes prej 50 miliardë euro për Ukrainën, kryeministri hungarez Viktor Orban pranon se u vendos “me shpatulla pas murit”.
Marrëveshja erdhi çuditërisht shpejt pas disa javësh rezistencë nga Hungaria, e cila ka refuzuar të dërgojë armë në Ukrainë që nga fillimi i luftës dhe marrëdhëniet e së cilës janë dëmtuar nga tensionet për trajtimin e rreth 150,000 hungarezëve etnikë që jetojnë në Ukrainën perëndimore.
Orban shmangu rrezikun e humbjes Fondet e BE-së të destinuara për Budapestin nga arkat e përbashkëta të bllokut. Gjithsesi ai e cilësoi marrëveshjen si mjaft të mirë.
“Unë u vura me shpatulla pas murit. Kështu që mund të them se nëse kjo marrëveshje nuk do të ishte arritur dhe Hungaria do të kishte vazhduar të përdorte të drejtën e vetos, atëherë 26 shtete anëtare do të kishin rënë dakord të dërgonin paratë në Ukrainë, gjë që nuk mund ta parandaloja. Ata do të kishin hequr fondet e destinuara për Hungarinë dhe do t’i dërgonte ato edhe në Ukrainë. Në fund, ne gjetëm një zgjidhje, një marrëveshje të mirë. Ne nuk po dërgojmë armë në Ukrainë, ne i marrim paratë tona nga Brukseli dhe do të kontribuojmë në financimin e Ukrainës.”
Pasi liroi aksesin në disa këste të fondeve të BE-së për Hungarinë, Komisioni Evropian ende po mban rreth 20 miliardë euro pa i dhënë Budapestit me akuzat se Orban ka dëmtuar demokracinë në vend gjatë 13 viteve të tij në pushtet. Përsa i përket konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë, kryeministri i Hungarisë përsëriti mendimin e tij se bisedimet e paqes duhet të fillojnë midis palëve, pasi kanë kaluar dy vjet nga fillimi i luftës.
“Perëndimorët vazhdojnë të mendojnë se koha është në anën tonë. Pra, sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më shumë do të përmirësohet situata ushtarake e Ukrainës sipas tyre. Por unë mendoj se e kundërta është e vërtetë. Unë mendoj se koha është në anën e rusëve. Dhe sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më shumë njerëz do të vdesin dhe ekuilibri i forcave nuk do të ndryshojë në favor të Ukrainës. Pra, pse të vazhdojmë luftën?”
Kancelari gjerman, Olaf Scholz kërkoi nga partnerët e tjerë në BE të rrisin ndihmat e tyre ushtarake për Ukrainën, ndërsa theksoi se vendet europiane duhet të forcojnë përpjekjet e tyre.
Klan News