Opozita bullgare: Jemi pro heqjes së vetos ndaj Maqedonisë së Veriut

Opozita e Bullgarisë është dakord që të hiqet veto ndaj Maqedonisë së Veriut për t’i hapur rrugë çeljes së negociatave me BE-në këtij shteti, e rrjedhimisht edhe Shqipërisë duke qenë se është në një proces me Maqedoninë e Veriut.

Kreu i opozitës bullgare, ish-Kryeministri Boyko Borissov ka deklaruar se do të votojnë pro heqjes së vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, dhe i ka bërë thirrje Kryeministri që të dërgojë në Parlament propozimin për ta votuar.

Këtë gjë e ka përshëndetur edhe Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi, i cili në një reagim në Twitter shkruan se tani është radha e qeverisë së Bullgarisë që të dërgojë në Parlament këtë nismë për t’u votuar.

“Falenderojmë liderin e opozitës Boyko Borissov për marrjen e një vendimi historik për Europën dhe për Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave. Presim që qeveria të bëjë propozimet e nevojshme sot në Parlament në mënyrë që Europa të ecë përpara”, shkruan Varhelyi.

Nesër dhe pasnesër mbahet Samiti i BE-së në Bruksel për të diskutuar për negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ku pritet që të merret vendim për hapjen e tyre ose jo. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share