“Open Ballkan” në ”aparate për frymëmarrje artificiale”!

PO E MBAJNË TË GJALLË MAQEDONIA E VERIUT DHE SERBIA

Derisa njëri prej nismëtarëve të Open Ballkan thotë po sheh një veprim më aktiv nga Brukseli dhe se do të koncentrohet në Procesin e Berlinit e do ta lërë Ballkanin e Hapur anash…

”Si rezultat i këtij plani të ri që po merr jetë nga ndërveprimi me Brukselin dëshiroj që Ballkanin e Hapur ta lëmë me një anë. Kaq, nuk ka dhe nuk dua që ti jap askujt, asnjë mundësi që të flas dhe të vazhdojë të flas për konspiracione, për alternativa, për paralelizma, për nuk e di se çfarë” – tha Edi Rama.

Përfaqësues të BDI-së dhe Qeveria e Maqedonisë sw Veriut, sic percjell KlanM, vazhdojnë të merren me marrëveshje bilaterale me Serbinë në kuadër të Open Ballkanit.

KlanM kërkoi sqarim nga Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi se ja vlen që Maqedonia e Veriut të harxhojë energji në këtë iniciativë, pas deklaratave të Edi Ramës dhe aktivizimit të Brukselit për të jetësuar Procesin e Berlinit, por ai vendosi të heshtë.

Ndërkohë, ish bashkëpartiakët e Grubit, kërkojnë përgjegjësi nga Grubi dhe Osmani pse e futën Maqedoninë në këtë iniciativë.

”Ministri i Jashtëm Bujar Osmani dhe zëvendëskryeministri Artan Grubi, ashtu siç e futën në ketë aventurë BDI-në dhe Ali Ahmetin, tani duhet të përgjigjen para qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, por në veçanti para shqiptarëve e sidomos elektoratit të BDI-së se cili ishte motivi i tyre për ta përkrahur me aq pasion këtë iniciativë të presidentit serb, çfarë synonte kjo iniciativë dhe çfarë u arrit me të” – thonë nga Grupi i të pakënaqurve brenda BDI-së.

Në vijë të ngjashme janë edhe nga Lëvizja Besa.

”Pas disa përpjekjeve që të konkretizohet projekti “Ballkani i Hapur” Edi Rama si njëri nga nismëtarët kryesor hetoi planin e rikthimit të sundimit serbo-rus në Ballkan, përmes realizimit të projektit të sipërpërmendur dhe në deklarimin e fundit u shpreh kundër kësaj nisme të mbrapsht. Lëvizja BESA kërkon nga Qeveria e krimit dhe korrupsionit që të heq dorë nga projekti  Ballkani i Hapur sidomos kur në këtë nismë anashkalohet Kosova. Projektet e përbashkëta, realizohen vetëm duke pasur fqinjësi të mirë me bazament njohjen e ndërsjellë, dhe assesi duke kryer krime ndaj një populli, të cilit nuk i kanë kërkuar falje dhe akoma nuk ka asnjë aktvendim përgjegjësie kundër fajtorit të shpallur edhe nga faktorët ndërkombëtar” – thonë nga Lëvizja BESA.

Ndryshe, mbrëmë Kryeministri Kovaçevski dhe homologu i tij, promovuan ueb faqen kur qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe të Serbisë mund të paguajnë online për shfrytëzimin e autostradave në të dy shtetet. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share