OKB: Ndihmat për Gazën janë bllokuar në portin izraelit

Agjencia kryesore e Kombeve të Bashkuara që ofron ndihma për palestinezët në Gazë po përballet me pengesa administrative në rritje nga Izraeli, njoftuan zyrtarët. Shefi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën, UNRWA, tha se në një port të Izraelit ishte bllokuar një dërgesë ushqimore që mund të plotësojë nevojat 30 ditore për palestinezët.

Izraeli pretendon se 12 punonjës të kësaj agjencie ishin të përfshirë në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, ndërsa një numër vendesh donatore pezulluan fondet. UNRWA i ka shkarkuar punonjësit e akuzuar dhe ka nisur një hetim.

​“Aktualisht mjedisi ku jemi është mjaft armiqësor ndaj agjencisë. Disa vendime kanë filluar të ndikojnë tek aftësitë e agjencisë që të funksionojë siç duhet”, tha të premten Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë së ndihmave për palestinezët, UNRWA.

Ai tha se një kontraktor që ofronte shërbime për agjencinë në portin Ashdod e ka njoftuar atë se nuk mund të vazhdonte të punonte me organizatën e ndihmave pas udhëzimeve nga autoritetet izraelite.

Si rezultat, tha zoti Lazzarini, në port është bllokuar një dërgesë nga Turqia me 1,049 kontejnerë me furnizime ushqimore që mund të mbulojë nevojat e 1.1 milion njerëzve për një muaj.

Ai tha se UNRWA e kishte informuar Turqinë për bllokimin. Deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pasur asnjë koment nga autoritetet turke. Incidenti ndodh ndërsa Gaza përballet me një emergjencë humanitare në rritje, me qindra mijëra palestinezë që përballen me urinë akute./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share