OKB miraton rezolutën e parë globale të inteligjencës artificiale

E propozuar nga SHBA, ky është hapi i parë që inkurajon shtetet që të sigurojnë se teknologjia është e sigurtë

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri rezolutën e parë mbi inteligjencën artificiale, duke siguruar që kjo teknologji është e besueshme.

“Të 193 anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kanë folur me një zë dhe së bashku kanë zgjedhur të qeverisin inteligjencën artificiale në vend që ta lënë atë të na qeverisë ne,” tha ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield.

Rezoluta, e propozuar nga SHBA dhe e bashkë-sponsorizuar nga Kina dhe 122 vende të tjera është një rezolutë jodetyruese. Megjithatë, votimi unanim në favor të saj është një gjë e rrallë, veçanërisht me sfondin e paqëndrueshmërisë së vazhdueshme gjeopolitike.

Ky miratim vjen në një kohë kur qeveritë anembanë globit po punojnë për të formësuar dhe rregulluar zhvillimet e AI mes frikës se ajo mund të zmadhojë mashtrimet, të çojë në humbje të vendeve të punës dhe madje të prishë proceset demokratike.

“Dizajni, zhvillimi, vendosja dhe përdorimi i pahijshëm ose keqdashës i sistemeve të inteligjencës artificiale paraqesin rreziqe që mund të dëmtojnë mbrojtjen, promovimin dhe gëzimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore,” thuhet në rezolutë.

Evropa është përpara Shteteve të Bashkuara, pasi ligjvënësit e BE-së miratuan një marrëveshje të përkohshme këtë muaj për të mbikëqyrur teknologjinë. Administrata Biden ka bërë presion ndaj ligjvënësve për rregullimin e AI, por për shkak të Kongresit të polarizuar në SHBA-së nuk shihet ndonjë përparim.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë u përpoq të reduktonte rreziqet e AI për konsumatorët, punëtorët dhe pakicat, duke forcuar sigurinë kombëtare me një urdhër të ri ekzekutiv në Tetor.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha se u deshën gati katër muaj për të negociuar rezolutën, por ajo i dha botës një grup parimesh bazë për të udhëhequr hapat e ardhshëm në zhvillimin dhe përdorimin e AI.

Vende të tjera si India dhe Japonia gjithashtu kanë bërë përpjekje të dukshme dhe kanë nxjerrë udhëzime të AI.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share