Lufta në Ukrainë, shkak për përkeqësimin e situatës ekonomike në shumë vende
Rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë ka çuar mbi 71 milionë persona në mbarë botën në varfëri ekstreme që nga fundi i Shkurtit që përkon me kohën kur Rusia nisi luftën ndaj Ukrainës.
Kështu bën të ditur një agjenci e Kombeve të Bashkuara. Achim Steiner, administrator i Programit për Zhvillim të OKB-së deklaron në 159 shtete në zhvillim vihet re një rritje e çmimeve të mallrave këtë vit që kanë goditur pjesë të Ballkanit, Afrikës Nën-Sahariane, Azisë dhe gjetkë.
“Kostoja e jetesës po çon miliona njerëz në varfëri dhe madje edhe uria po përhapet me shpejtësi marramendëse”, thotë ai përmes një deklarate.
“Me këtë, kërcënimi i rritjes së trazirave shoqërore po rritet nga dita në ditë”, shtoi ai.
Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë pothuajse çerekun e eksporteve globale të grurit dhe mbi gjysmën e eksporteve të vajit të lulediellit. Çmimet e energjisë po ashtu janë rritur pas luftës pas vendosjes së sanksioneve ekonomike ndaj Moskës si mënyrë për ta ndëshkuar atë për luftën në Ukrainë. Para luftës, Rusia ishte eksportuesja më e madhe në botë e gazit natyror dhe eksportuesja e dytë e naftës së papërpunuar por shumica e vendeve të BE janë shkëputur nga nafta ruse.
Klan News