Franca ka shkelur një traktat ndërkombëtar të të drejtave të njeriut kur ia ndaloi një gruaje që të mbante shaminë gjatë kohës kur ajo vijonte mësimet në një shkollë, thuhet në vendimin e një komiteti të Kombeve të Bashkuara.
Komiteti për të Drejtat e Njeriut i OKB-së tha se me këtë rast Franca ka shkelur Paktin ndërkombëtar për të drejta civile dhe politike.
Vendimi vjen pas një ankese të bërë më 2016 nga një shtetase franceze e lindur më 1977, avokati i së cilës tha se ajo nuk dëshiron që t’i publikohet emri.
Kjo grua kishte qenë duke ndjekur një kurs profesional për të rritur më 2010 dhe kishte kaluar intervistën dhe testin pranues.
Por, drejtori i shkollës së mesme Langevin Wallon, që gjendet në periferi të Parisit, kishte refuzuar që ta linte të hynte në shkollë për shkak të një ndalese që kishte të bënte me veshjen e simboleve fetare në institucionet publike të arsimit.
Komiteti i OKB-së tha se “ndalimi që iu bë asaj që të marrë pjesë në kurs për shkak të shamisë përbën një kufizim të lirisë së saj fetare dhe është në kundërshtim me traktatin”.
Ky vendim i komitetit ishte miratuar në mars, por vetëm më 3 gusht iu dorëzua avokatit të ankueses.
“Ky është një vendim i rëndësishëm që tregon se Franca ka punë për të bërë në kuptimin e të drejtave të njeriut dhe në rastin konkret në respektimin e minoriteteve fetare, veçanërisht të komunitetit mysliman”, tha për AFP-në, Sefen Guez, avokati i gruas që iu ndalua ndjekja e kursit për shkak të shamisë./REL