Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar njëra-tjetrën për kryerjen e sulmeve ne termocentralin më të madh bërthamor në Evropë
Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së do të kryejë një vlerësim të termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias pasi vendi u bombardua disa herë gjatë fundjavës .
Shpërthimet dëmtuan ndërtesa dhe pajisje. Kreu i saj, Rafael Grossi është shprehur se forcat ruse po luajnë me zjarrin duke shtuar se sulmet duhet të ndalen menjëherë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike në një deklaratë ka bërë të ditur se nivelet e rrezatimit në vend mbetën normale dhe nuk kishte raportime për viktima.
Kremlini ka mohuar se ka kryer sulmet dhe ka ngritur akuza ndaj Kievit se ka bombarduar një pjesë të centralit. Ai u bëri thirrje fuqive globale që të sigurojnë që Kievi të pushojë sulmet ndaj stacionit më të madh bërthamor të Evropës.
Ndërkaq bombardimet vijojnë në pjesën lindore ku forcat ruse goditën pozicionet e vijës së frontit në rajonin e Donetskut. Pothuajse 400 sulme u rregjistuan në Luhansk dhe Donetsk ka bërë të ditur presidenti Volodymyr Zelensky, numri më i lartë gjatë gjithë kësaj periudhe. Në jug, trupat po shkatërrojnë në mënyrë të vazhdueshme ndërtesat dhe infrastrukturën energjitike.
Ukrainasit që jetojnë në kryeqytetin Kiev, po përgatiten për “dimrin më të keq të jetës së tyre” me temperaturat e ulta dhe rrjetin elektrik të dëmtuar. Mediat shkruajnë se Kievi dhe zonat përreth tij janë në errësirë, pa ujë si dhe rezerva ushqimore drejt fundit. Autoritetet ukrainase janë shprehur se sulmet ruse po e çojnë Ukrainën në Epokën e Gurit.
Ndërkaq Rusia do të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për ekzekutimin e dyshuar të të burgosurve rusë të luftës në Ukrainë dhe se do të bënte gjithçka që është e mundur për të tërhequr vëmendjen ndaj Perëndimit që pretendon se ka kryer krime lufte.
Klan News