Në hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore u mbajt Konferenca vjetore me temë “Sfida e kompanive të RMV-së në sigurimin e fuqisë punëtore në periudhë globalizimi dhe digjitalizimi”.
I ftuar si dhe folës përkrah kryetarit Qyra ishte zv. Kryeministri për çështje ekonomike të RMV-së Fatmir Bytyqi, ndërsa në fjalën e tij Kryetari i OEMVP-së u shpreh se kriza e mungesës së fuqisë punëtore dita ditës po rritet dhe se e njëjta po shkaktohet nga shumë faktorë. Ndër të shumta ai potencoi edhe zhvillimin e pabarabartë rajonal, kontributet e larta të pagave, dhe konkurrencën jo lojale e cila u pamundëson bizneseve legjitime të zhvillohen dhe të nxisin konkurrueshmëri në rrafshin ekonomik.
Si kërkesa të Kryetarit Qyra ishin ulja e kontributeve dhe liberalizimi i tregut të fuqisë punëtore në plan regjional, kështu duke u mundësuar vendeve shkëmbim edhe të fuqisë punëtore për të plotësuar boshllëkun por edhe si preventivë që mos të largohen në vendet më të largëta. Ndërkaq zv kryeministri Bytyqi, potencoi se digjitalizimi do të sjellë epokë të re në tregun e punës dhe se në periudhën vijuese kërkohet rritja e aftësive të punëtorëve.
Gjithashtu ai potencoi se kompanitë duhet të investojnë në trajnime dhe zhvillim që të jenë në hap me trendet e fundit globale. Panelistë në këtë konferencë përpos drejtorit Ekzekutiv të OEMVP-së Durim Zeqiri ishin Ministri i shoqërisë informatike dhe administratës Azir Aliu, Drejtori i Agjencisë për punësim Bekim Murati, Kryetarja e Kuvendit të MASIT dhe njëherit Kryesuese e Platformës për Dialog-Publiko Privat Aneta Antova Pesheva si dhe anëtari i OEMVP dhe themeluesi i kompanisë Motivi Group Norik Selimi.
Përmes diskutimit të frytshëm në panel u shqyrtuan çështje kyçe si përshtatshmëria e kompanive ndaj ndryshimeve të tregut, roli i teknologjisë informative në rritjen e performancës ekonomike dhe bashkëpunimi publiko-privat për të inkurajuar inovacionin dhe rritjen e sektorit ekonomik. Gjithashtu, u theksua rëndësia e aftësive të reja dhe profilizimit të përshtatshëm të fuqisë punëtore për të përmbushur nevojat e kompanive në kohën e përshpejtuar të ndryshimeve globale.
OEMVP me këtë konferencë të nivelit të lartë, alarmon situatën e krijuar dhe se në konferencën e radhës të kësaj teme, do të zgjerohet koncepti duke i përfshirë edhe institucionet e shteteve fqinje” – thonë nga shërbimi për informim nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore. /KlanMacedonia/