“Masat anti-krizë, të ndërpritet praktika e mos konsultimit me odat ekonomike”
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore vlerëson se masat aktuale për uljen e inflacionit nuk janë adekuate dhe për këtë shkak duhet të ndërmerren masa alternative dhe në të ardhmen të ndërpritet praktika e institucioneve që të mos konsultohen me Odat Ekonomike gjatë miratimit të masave.
“Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore si institucion i cili për mision ka mbrojtjen dhe avancimin e bizneseve por edhe ekonomisë në përgjithësi, gjithmonë apelon që masat që ndërmerren nga ana e Qeverisë dhe institucioneve përkatëse të bazohen në analiza dhe me parashikim të detajuar të rreziqeve që mund të sjellin të njëjtat”, thonë nga OEMVP.
Sipas OMEVP-së, i tillë ishte rasti i ngrirjes së vazhdueshme të çmimeve të dhjetëra produkteve, e cila në fund po dëshmon që kjo masë nuk ka arritur efektin e parashikuar dhe proklamuar.
“Në bazë të deklaratës së Guvernatores së Bankës Popullore znj. Anita Angelovska Bezhoska, Inflacioni ka arritur në 9.5% që dëshmon për faktin se masa e ndërmarrë nuk ka sjellë efektet e pritura, ndërkaq bizneset e sidomos prodhuesit dhe tregtarët janë dëmtuar, ndërsa nga ana tjetër edhe qytetarët vazhdojnë të mbeten të pambrojtur nga inflacioni”, thonë nga OEMVP.
Në fund të javës së ardhshme pritet pakoja e re anti-krizë dhe pas miratimit do të nis menjëherë zbatimi I tyre – paralajmëroi Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Krahas pakos së re anti-krizë, Bekteshi ka paralajmëruar se javën e ardhshme në Qeveri pritet të miratohet propozimligji për parktika jo të ndershme tregtare, I cili më pas do t`I dërgohet Kuvendit.
Sipas tij, në Ministrinë e Ekonomisë, tashmë kanë mbërritur vërejtjet dhe komentet nga prodhuesit, distributorët dhe zinxhirët e supermarketeve, të cilët në koordinim me Kryeministrin dhe institucionet kompetente do të shqyrtohen dhe do të futen në draft versionin e ligjit. /KlanMacedonia