Në dy muajt e ardhshëm nuk do të ketë rritje të çmimeve të produkteve ushqimore – thonë nga Oda e Agro-Biznesit.
Sipas tyre, edhe pse vazhdon rritja e çmimit të drithit në bursat botërore, për momentin, nuk reflektohet në tregun vendor.
Por, për shkak të situatës me konfliktin në Ukrainë dhe luftës në Lindjen e Afërt, nga ku varet çmimi i naftës, do të bëhet analizë e re.
“Nisje e sërishme e luftës në Gazë, në mënyrë të drejtpërdrejtë implikon rritjen e çmimit të naftës. Kjo rritje është mundësi potenciale për çmime më të larta të lëndëve të para për industrinë e ushqimit” – thotë Goran Gjorgjievski, Kryetar i Odës së Agro-Biznesit pranë Odës Ekonomike.
Por, probleme nuk paraqesin vetëm çmimet. Largimi i fuqisë punëtore ka ndikuar në likuiditetin e kompanive.
“Përballen me mungesa të financave. Bankat vështirë miratojnë kredi. Presioni ndjehet edhe nga mungesa e resurseve njerëzore nëpër kompanitë” – thotë Gjorgjievski.
Ndërkohë, Enti Shtetëror për Statistika, doli me shifra të reja për inflacionin.
Në Prill, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2023, inflacioni është më i lartë për 4%.
Shifrat flasin për rritje të çmimeve të pemëve dhe perimeve. Rritje më e vogël shënohet tek çmimet e qumështit, djathit, vezëve dhe bukës.
Sipas statistikës, inflacioni shënon rënie, por kjo nuk ndjehet në fuqinë blerëse të qytetarëve./tvklan.mk