OceanGate pezullon ekspeditat pas shpërthimit të nëndetëses

OceanGate, kompania me bazë në SHBA që menaxhoi nëndetësen turistike që shpërtheu gjatë një zhytjeje në rrënojat e Titanikut, ka pezulluar të gjitha operacionet kërkimore dhe tregtare.

Kompania në njoftimin në ueb faqen e saj nuk shtjelloi aryet përtej shpjegimit: “OceanGate ka pezulluar të gjitha operacionet e kërkimit dhe tregtimit”.

OceanGate kishte planifikuar dy ekspedita në rrënojat shekullore të Titanikut, të vendosura në një cep të largët të Atlantikut të Veriut, për qershor të vitit 2024.

Autoritetet amerikane dhe kanadeze po hetojnë shkakun e shpërthimit nënujor të qershorit, i cili vrau të pesë personat që ishin në të dhe ngriti pikëpyetje rreth natyrës së parregulluar të ekspeditave të tilla.

Rojet bregdetare të SHBA-së javën e kaluar gjetën mbetje të supozuara njerëzore dhe mbeturina nga nëndetësja, e njohur si Titan, pas kërkimit në fundin e oqeanit.

Ekzaminimi i mbetjeve pritet të hedhë më shumë dritë mbi shkakun e shpërthimit.

Nëndetësja Titan, e cila dërgon pasagjerë deri në rrënojat e Titanikut, të fundosur në vitin 1912, në Oqeanin Atlantik – ishte zhdukur më 18 qershor.

Pas kërkimeve intensive nga shumë shtete, Roja Bregdetare e SHBA-së tha më 22 qershor se pasagjerët kanë vdekur pasi nëndetësja besohet të ketë shpërthyer.

Brenda nëndetëses ishin eksploruesi britanik, Hamish Harding, eksperti francez i nëndetëseve, Paul-Henri Nargeolet, biznesmeni pakistanezo-britanik, Shahzada Dawood dhe djali i tij, Suleman, dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë OceanGate që ofron ekspeditën me nëndetësen Titan, Stockton Rush. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share