OBSH: Shurupet e kollës të prodhuara nga India mund të lidhen me vdekjen e 66 fëmijëve në Gambia

Një alarm global është lëshuar për katër shurupe për kollën pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se ato mund të lidhen me vdekjen e 66 fëmijëve në Gambia.

“Shurupet kanë qenë të lidhura potencialisht me lëndime akute të veshkave dhe 66 vdekje midis fëmijëve”, tha shefi i OBSH-së, Tedros Ghebreyesus.

OBSH shtoi se produktet ishin prodhuar nga një kompani indiane, “Maiden Pharmaceuticals” e cila kishte dështuar të jepte garanci për sigurinë e tyre.

“Katër produktet ishin identifikuar në Gambia, por mund të jenë shpërndarë, përmes tregjeve informale, në vende ose rajone të tjera”, shtoi OBSH në alarmin e publikuar në faqen e saj të internetit.

Kjo organizatë paralajmëroi se përdorimi i tyre mund të rezultojë në lëndime serioze ose vdekje, veçanërisht te fëmijët.

Ndërhyrja e OBSH-së erdhi pasi autoritetet mjekësore në Gambia, në fund të muajit korrik zbuluan një rritje të rasteve të dëmtimit akut të veshkave tek fëmijët nën moshën pesë vjeçare, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Qeveria e Gambisë që atëherë ka pezulluar përdorimin e të gjitha shurupeve të paracetamolit dhe u ka kërkuar njerëzve të përdorin tableta në vend të tyre.

OBSH tha se analizat laboratorike të mostrave të produkteve “konfirmojnë se ato përmbajnë sasi të papranueshme të dietilen glikolit dhe etilen glikolit si ndotës”.

Substancat ishin toksike dhe efektet e tyre sipas OBSH-së mund të përfshijnë dhimbje barku, të vjella, diarre, pamundësi për të urinuar, dhimbje koke, gjendje mendore të ndryshuar dhe dëmtim akut të veshkave që mund të çojnë në vdekje.

Por, nga kompania “Maiden Pharmaceuticals” ende nuk ka ndonjë reagim në lidhje me këto produkte.

Zyrtarët shëndetësorë të Gambisë thanë muajin e kaluar se dhjetëra fëmijë kishin vdekur, pa dhënë një numër të saktë.

Ndërkaq, shefi i OBSH-së, Tedros Ghebreyesus tha se vdekja e fëmijëve është humbje e madhe për të gjithë./Klankosova.tv/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share