Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus tha për BBC se popullsia në pothuajse të gjithë Sudanin po vdes nga uria.
Ai paralajmëroi se situata në këtë vend të shkatërruar nga lufta është shumë alarmante. Shefi i OBSH-së vuri në dukje se shpërngulja e popullsisë sudaneze është më e madhja në botë dhe se tani është prekur edhe nga uria. Ai theksoi se 12 milionë njerëz janë zhvendosur dhe se publiku botëror i kushton shumë pak vëmendje këtij vendi. Ai beson se një nga arsyet për këtë është raca e popullsisë së këtij vendi.
Mijëra njerëz janë vrarë që nga prilli i vitit të kaluar, kur filloi lufta civile midis ushtrisë sudaneze dhe grupit paraushtarak RSF.
“Imagjinoni – shkatërrim, zhvendosje, sëmundje kudo dhe tani uria”, tha Ghebreyesus.
Së fundmi ai vizitoi një kamp për personat e zhvendosur brenda vendit dhe një spital në Sudan.
“Aty sheh shumë fëmijë që janë lëkurë e eshtra”, theksoi ai.
Ghebreyesus tregoi se gati 25 milionë banorë, që është gjysma e popullsisë së përgjithshme, kanë nevojë për ndihmë. Ai përsëriti se këtij vendi nuk i kushtohet vëmendja që meriton dhe se kështu ka qenë edhe gjatë konflikteve të tjera të fundit në Afrikë.
Një komitet ekspertësh i mbështetur nga Kombet e Bashkuara muajin e kaluar shpalli ‘urinë’ në kampin e gjysmë milioni njerëzve të zhvendosur. Kampi ndodhet pranë qytetit të rrethuar el-Fasher në Darfur, një nga rajonet më të prekura nga lufta.
Gjenerali i ushtrisë sudaneze, Abdel Fattah al-Burhan dhe kreu i grupit paraushtarak RSF, Mohamed Hamdan Dagalo organizuan një grusht shteti ushtarak në vitin 2021 dhe më pas u përleshën, duke rezultuar në një luftë civile.
Disa akuzojnë Emiratet e Bashkuara Arabe se mbështesin RSF-në financiarisht dhe me armë, gjë që ky vend e mohon, ndërsa Arabia Saudite është e lidhur me qeverinë sudaneze. Përpjekjet e ndërmjetësimit amerikan dhe saudit për të vendosur paqen kanë dështuar. /Telegrafi/