OBSH: Miliona njerëz në Ukrainë të rrezikuar nga dimri

Në Ukrainë, dimri rrezikon jetën e miliona njerëzve. Ky është alarmi që ka ngritur drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Henri Kluge.

“Shëndeti i njerëzve nuk mund të mbahet peng”, shtoi ai, duke denoncuar situatën e vështirë në spitalet ukrainase.

“Maternitetet kanë nevojë për inkubatorë, bankat e gjakut kanë nevojë për frigoriferë, shtretërit e ICU kanë nevojë për ventilatorë dhe gjithçka që kanë nevojë për energji”, apeloi ai.

OKB nga ana tjetër ka ngritur alarmin se afro 6600 civilë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus shkurtin e kaluar. Sipas një raporti të publikuar nga Komisioneri i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, këto janë vlerësime “ndoshta më të ulëta” se numri aktual. Në mesin e 6.595 viktimave, thuhet në raport, janë 2.575 burra, 1.767 gra, 172 vajza, 206 djem dhe 37 fëmijë, si dhe 1.838 të rritur, gjinia e të cilëve ende nuk është identifikuar.

Ndërkohë në fjalimin e tij të mbrëmjes, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje qytetarëve që të kufizojnë përdorimin e energjisë elektrike.

“Sigurisht, punonjësit e energjisë, punonjësit e shërbimeve, reaguesit e urgjencës dhe të gjithë të përfshirët po punojnë më fort. Por dëmi sistematik i energjisë sonë nga sulmet nga terroristët rusë është i rëndësishëm,” tha ai.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share