Në rrezik nga sëmundja edhe jugu i SHBA
Rritja e temperaturave mesatare si pasojë e ngrohjes globale sjell një kërcënim të ri për jetën e miliona njerëzve në Europën Jugore dhe jugun e Shteteve të Bashkuara.
Është fjala për “ethet tropikale”, një infeksion viral me origjinë nga vendet e nxehta të Afrikës, Azisë dhe Amerikës së Jugut. Kjo sëmundje është përgjegjëse për 20 mijë vdekje çdo vit në këto vende.
Por Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se rritja e temperaturave në Europën Jugore e bën më të përshtatshme përhapjen e mushkonjave që bartin virusin që shkakton ethet. OBSH parashikon që për dekadën e ardhshme, “ethet tropikal”e të jenë kërcënim real për shëndetin e njeriut duke përhapur edhe epidemi.
Që nga viti 2000, numri i të prekurve nga “ethet tropikale” është 8-fishuar dhe për këtë ka ndihmuar edhe rritja e lëvizjes së njerëzve mes vendeve të ndryshme të botës dhe urbanizimi me ritme të shpejta. OBSH bën thirrje për zhvillimin dhe përmirësimin e vaksinave aktuale për t’i paraprirë përhapjes masive të këtij infeksioni.
Tv Klan