Spanja dhe Gjermania ndër vendet më të prekura nga valët e të nxehtit
I nxehti po shkakton mijëra viktima në të gjithë Europën. Sipas OBSH-së vetëm këtë vit kanë humbur jetën të paktën 15 mijë njerëz.
Ndër vendet më të prekura janë Spanja dhe Gjermania me respektivisht 4,500 dhe 4,000 viktima ndërsa në Portugali për shkak të nxehtit kanë humbur jetën 1000 persona.
“Kjo do të thotë se ndryshimet klimatike tashmë po na vrasin ”, paralajmëron drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge, i cili kërkoi masa të forta për të parandaluar vdekjet e mëtejshme. Kluge shpjegon se stresi i nxehtësisë është shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me motin në rajonin evropian.
Por ai thekson gjithashtu se temperaturat ekstreme mund të jenë një rrezik për njerëzit që vuajnë nga sëmundjet kronike të zemrës, problemet e frymëmarrjes dhe diabetit.
Në 30 vitet e fundit, temperaturat në Evropë janë rritur më shumë se dyfishi i mesatares globale, referuar një raporti të Organizatës Botërore Meteorologjike.
Kështu, nga viti 1991 deri në vitin 2021, temperaturat në Evropë janë ngrohur me një normë mesatare prej rreth 0.5 gradë Celsius në një dekadë.
Klan News