Në Forumin e Dubrovnikut, diskutimet kanë qenë të fokusuara te sulmi terrorist i 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit. Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka theksuar se krimet e kryera në shtator 2023 duhet të dënohen.
“Presim dhe besojmë, pasi na është premtuar se Radoiciqi do të kalojë në një proces të plotë të ligjit në Serbi. Është gjë e mirë që ai nuk po shfaqet më aktiv në veri të Kosovës ashtu siç ka qenë, gjë e cila i ka benefitet pozitive. Por, presim që procesi ndaj tij të përfundojë. Ky është zotim për sundim të ligjit”, tha O’Brien.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka kritikuar Serbinë për retorikën hegjemoniste dhe mungesën e bashkëpunimit rajonal.
“Nëse e shihni përbërjen e re të qeverisë serbe, ju do të shihni ministra të Millosheviqit, do të shihni ministra që janë të sanksionuar nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe dhe do të shihni shumë retorikë hegjemoniste në drejtim të të gjithë fqinjëve, jo vetëm në drejtim të Kosovës”, tha Gërvalla.
Gjithashtu ryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmendur tri kushte për takime të nivelit të lartë me Serbinë, duke përfshirë nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike dhe dorëzimin e terroristit Millan Radoiçiq para organeve të drejtësisë së Kosovës.