Numri i viktimave nga tragjedia në diskotekën “Puls” në Koçan ka arritur në 60.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, konfirmoi se Aleksandar Karadakovski, një nga të lënduarit që po trajtohej në Lituani, ka ndërruar jetë. Në Shkup aktualisht janë 14 pacientë, ndërsa jashtë shtetit mbeten 69 pacientë, me tre prej tyre në gjendje kritike.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot ka konfirmuar viktimën e 60 nga djegia e diskotekës “Puls” në Koçan. Taravari njoftoi se pacienti po trajtohej në Lituani, dhe ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Bëhet fjalë për drejtorin e diskotekës Puls, Aleksandar Karadakovski, për të cilin prokuroria kishte hapur hetim dhe ishte në mesin e të dyshuarve për tragjedinë e Koçanit.
ARBEN TARAVARI- MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Me keqardhje, sot ka ndërruar jetë njëri prej katër pacientëve që ishin në gjendje kritike, bëhet fjalë për Aleksandar Karadakovski, i cili është 29 vjeç, dhe shërohej në Lituani.”
Në Shkup mbeten vetëm 14 pacientë, prej të cilëve pesë sot lëshohen për mjekim shtëpiak.
ARBEN TARAVARI- MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Gjithsej kanë mbetur prej 193 pacientëve që u trajtuan, nga tragjedia në Koçan mbeten vetëm 78 pacientë që trajtohen këtu në Shkup dhe jashtë vendit. Në Shkup janë 14 pacientë prej të cilëve pesë sot lëshohen në shtëpi, që janë në gjendje shumë më të mirë dhe mbeten vetëm nëntë pacientë që shërohen nëpër spitalet në vend.”
Taravari njoftoi se jashtë shtetit mbeten 69 pacientë, gjashtë sot kthehen në vend. Dy nga Bullgaria, dy prej Spanjës dhe dy prej Hungarisë, ndërsa tre pacientë vazhdojnë të mbeten në gjendje kritike.