Hulumtimi që do të lexoni më poshtë është bërë nga Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi” me seli në Shkup.
Mos votimi në fillim të nëntorit të projektligjit për amnisti të paraqitur nga ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, lëkundi themelet e koalicionit qeverisës. Nga vëzhguesit, kjo u komentua si poshtërim i Aleancës për Shqiptarët nga partneri i koalicionit LSDM, nën presionin e VMRO-DPMNE-së.
Debati publik pas mosvotimit të projektligjit u karakterizua me akuza brenda koalicionit qeverisës dhe deklarata nxitëse nga të dyja palët, ndër tjera se shumica e të burgosurve në Maqedoninë e Veriut janë shqiptarë.
Nisur nga ky debat, Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi i drejtoi një kërkesë për qasje në informacione me karakter publik Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, duke kërkuar numrin dhe përkatësinë kombëtare të të burgosurve sipas qendrave të burgimit.
Sipas përgjigjes së dhënë nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve më 21 nëntor 2023, janë gjithsej 2.216 të burgosur që vuajnë dënimin me burg në 12 qendrat e burgimit të vendit.
Prej tyre, 761 (ose 34,34%) janë shqiptarë, 798 (ose 36,01%) janë maqedonas, 106 (ose 4,78%) janë turq, 383 (ose 17,28%) janë romë dhe 29 (ose 1,31%) janë serbë. Sipas Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, 126 të burgosur janë shtetas të huaj, ndërsa për 9 të burgosur në Burgun e Shutkës, Drejtoria nuk arriti të siguronte përkatësinë kombëtare.
Burgu i Idrizovës është më i populluari me 1.205 të burgosur, prej të cilëve 530 (ose 43.98%) janë shqiptarë kundrejt 310 (ose 25.73%) maqedonas.
Burgu i dytë më i madh është ai Shtipit, me 217 të burgosur, prej të cilëve vetëm 10 (ose 4,6%) janë shqiptarë.
Burgu i tretë më i madh është Shutka, me 170 të burgosur, prej të cilëve 70 (ose 41,18%) janë shqiptarë dhe 61 (ose 35,88%) janë maqedonas.
Ajo që bie në sy nga këto shifra janë dy konkluzione kryesore:
Maqedonasit si komuniteti më i madh në vend janë dukshëm më pak të përfaqësuar në burgje. Maqedonasit janë 23,5% më pak të përfaqësuar në popullatën e të burgosurve (36,01%) në krahasim me përqindjen e tyre në popullatën e përgjithshme të vendit sipas rezultatit të regjistrimit të vitit 2021 (57,86%).
Të gjitha komunitetet tjera kryesore në vend janë të mbipërfaqësuara në burg, veçanërisht romët (17,28% e popullsisë së burgosur kundrejt 2,5% të popullsisë së përgjithshme, apo një mbipërfaqësim prej 14,8%) dhe shqiptarët (34,34% e popullsisë së burgosur kundrejt 31,51% e popullsisë së përgjithshme, apo një mbipërfaqësim prej 4,5%).
Me fjalë të tjera, shqiptarët kanë dy herë më shumë gjasa për të vuajtur dënim me burg sesa maqedonasit. Romët kanë 6 herë më shumë gjasa të përfundojnë në burg sesa maqedonasit.
Mbipërfaqësimi i romëve dhe shqiptarëve në burgje, me gjasë është reflektim i dënimeve me burg disproporcionalisht më të larta dhe i kohëzgjatjes së qëndrimit në burg mesatarisht më të gjatë sesa për maqedonasit.
Reformat të vërteta në sistemin e drejtësisë penale nuk mund të arrihen pa e pranuar dhe adresuar këtë diskriminim në baza kombëtare. Kjo gjë kërkon mbledhje dhe analizë të mëtejshme të të dhënave, për të identifikuar shkaqet rrënjësore të diskriminimit në baza kombëtare, veprat e të dënuarve dhe vitet e dënimeve. Jetike është të kuptohen tendencat gjyqësore për të informuar politikëbërjen për adresimin e faktorëve që çojnë në dallimet në baza kombëtare në dënimet me burg, kohëzgjatjen e qëndrimit dhe popullsinë e përgjithshme të burgjeve.
Rekomandime nga IPP Arbën Xhaferi
Lidhur me çështjen e mbipopullimit të burgjeve dhe kushteve të rënda në qendrat e burgimit, vlen të theksohet se veç kësaj, burgu i Idrizovës dhe ai i Shutkes, ku vuajnë dënimet shumica e shqiptarëve të burgosur, vazhdojnë të veçohen për kushtet çnjerëzore, si në raportet e organizatave vendore ashtu edhe të atyre ndërkombëtare. Praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat etablon se kushtet e këqija të burgimit mund të konsiderohen si shkelje e nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në lidhje me ndalimin e torturës.
Në përputhje me rekomandimet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës, Maqedonia e Veriut duhet urgjentisht të ndërmarrë masa për përmirësimin e kushteve në burgje, përfshirë rinovimin e ndërtesave më të vjetruara të burgut të Idrizovës dhe rritjen e kapaciteteve apo gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme jashtë vendit, pse jo duke marrë me qira hapësira në burgjet e ndonjë vendi fqinj si Kosova.
Krahas kësaj, Maqedonia e Veriut duhet të rrisë përpjekjet për të promovuar dënimet alternative, siç janë dënimi me kusht, gjysmëliria apo urdhri për punë në dobi të përgjithshme.