Nuk u ftua në Athinë, reagon Rama: S’doja të shikoja që darka të përdorej për t’i dërguar Shqipërisë mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit ambicioz të nismës

Pasi nuk u ftua në takimin informal në Athinë për Ballkanin Perëndimor, ka reaguar Kryeministri Edi Rama duke mbajtur qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje.

Kreu i qeverisë shqiptare sqaron se nuk dëshironte të bënte asnjë reagim deri sa ky takim informal 2-ditor në kryeqytetin grek të përfundonte.

Kryeministri nuk e shpreh zhgënjimin kur thotë se në takimin informal në Athinë në vend të tij, siç ishte parashikuar, u ftua Presidenti Bajram Begaj e jo ai. E në këtë pikë, Rama sjell në vëmendje Procesin e Berlinit që do të mbahet në Tiranë në muajin Tetor, ku Kryeministri grek Mitsotakis është i ftuar si përfaqësues i Greqisë, dhe jo Presidentja.

Por Rama thekson gjithashtu se nuk i erdhi mirë që darka informale me liderët e Ballkanit dhe zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së të përdorej për t’i dhënë një mesazh Shqipërisë.

Megjithatë Kryeministri shqiptar shprehet se mes dy vendeve ka më shumë çështje dhe gjëra që i bashkojnë, se sa i ndajnë.

Në takimin informal në Greqi, Shqipëria nuk u përfaqësua pasi edhe Presidenti Begaj e refuzoi ftesën për shkak se kishte axhendë të paracaktuar. Në Greqi, mosftesa e Ramës është komentuar si “ndëshkim” për qëndrimin që po mban Athina zyrtare për çështjen Beleri.

Një ditë më parë, ministri grek i Punës kërcënoi Shqipërinë se Greqia do të bllokojë fondet europiane dhe do të pengojë rrugën e vendit tonë drejt BE-së.

REAGIMI I KRYEMINISTRIT EDI RAMA:

Kjo është përgjigjia ime për të gjithë, në Greqi, Shqipëri apo gjetkë që komentuan në mënyra të ndryshme për mungesën time në Athinë, por edhe për gazetarët që kërkuan mendimin tim dhe nuk morën përgjigje përpara takimit informal. Arsyeja është e thjeshtë: Nuk doja të shqetësoja mikpritësin dhe të ftuarit e tij, për të bërë më shumë zhurmë përpara se miqtë e mi të mirë që u mblodhën në Athinë të përfundonin punën e tyre.

Jam shumë i lumtur që Kyriakos mori iniciativën dhe me liderë të tjerë shumë të rëndësishëm të diskutojnë për të ardhmen europiane të Ballkanit nën sfondin e agresionit rus. Rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën tonë të përbashkët. Unë i kam thënë gjithmonë atij apo miqve të tjerë grekë, edhe publikisht në disa raste, se besoj sinqerisht që vendi i tyre ka rol të natyrshëm në Ballkan duke pasur parasysh profilin dhe përvojën në BE.

Shpresoj shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht nuk doja të shikoja që darka të përdorej për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit ambicioz të nismës.

Për sa më përket mua, të flasësh, komunikosh, debatosh me miqtë, aleatët, partnerët, fqinjët është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe gjithmonë të përpiqesh të vendosësh veten në vendin e tjetrit është domosdoshmëri. Aq më tepër kur duket se gjërat po shkojnë keq.

Në Tetor Shqipëria do të kryesojë samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë. Natyrisht që miku im i dashur dhe kolegu i respektuar në Athinë është ftuar të marrë pjesë dhe nuk do ta imagjinoja kurrë që t’i përgjigjesha njësoj, që në vend të tij të ftoja Presidenten greke, për të cilën kam gjithashtu respekt të madh.

Unë e kuptoj presionin e palëve të treta, që janë të etur për të shfrytëzuar çdo rast. Por përpara kemi sfida shumë më të mëdha, male për t’u ngjitur. Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla për hir të popujve tanë, vendeve tona, rajonit tonë, Europës është më e madhe se ajo që na ndan. Është e tepërt që ne të bëhemi peng i politikave të brendshme fisnore.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share