Në studion e Klan Debat me Xhumadije Ibraimit sonte po diskutohet për krizën në Gaza dhe luftimet mes Hamasit dhe Izraelit, me analistët Ismet Ramadani dhe Ibrahim Memeti.
Ismet Ramadani ka theksuar se rikthimi në pushtet i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë që ky i fundit të rrisë dozën e agresivitetit në raport me palestinezët, për shkak të akuzave që i ka për korrupsion.
“Netanyahu në këtë mandat të kryeministrit hyri me hipotekë sepse ai ndiqej për korrupsion. Dhe këtu është ajo demagogjia apo hipokrizia e politikanit. Kur hyn me hipotekë, pastaj për të treguar se është i fortë, i fuqishëm, në Bregun Perëndimor pati disa aksione, në Al Aksa, disa intervenime të cilat shkaktuan revoltë. Kjo dhunë sistematike mandaej krijoi situata të cilat ishin me aksione të ndryshme, kjo e fundit më makabre”, tha mes tjerash Ramadani.
Sipas tij, ende nuk është e qartë se kush është përgjegjës për sulmin në spitalin e Gazës, duke u bazuar në deklarimet e palëve të përfshira në konflikt. Edhe Hamasi, por edhe kryeministri izraelit, sipas Ramadanit, nuk janë burime të besueshme.
“Prej veprimeve të deritanishme, dilemat janë në atë se nuk iu besohet as këtyre të Hamasit e nuk i besohet as Netanyahut”, thotë Ismet Ramadani./KlanMacedonia