Shakira është akuzuar për evazion fiskal për herë të dytë nga qeveria spanjolle. Prokurorët në Spanjë pretendojnë se këngëtarja mashtroi shtetin me shumën e padeklaruar prej 6.7 milionë Eurove në vitin 2018. Ata thonë se ajo nuk ka deklaruar miliona paradhënie për turneun e saj botëror “El Dorado”.
Prokurorët spanjollë hapën hetimin e dytë në Korrik të vitit 2023 për Shakirën, por më shumë detaje i kanë publikuar sot. “RTVE” raporton se këngëtarja është në dijeni të akuzave të reja që rëndojnë mbi të, ndërsa “Reuters” ka mësuar se ekipi ligjor i Shakirës në Miami, ku ajo jeton tani, nuk është njoftuar ende zyrtarisht për ato.
“Jemi të fokusuar për përgatitjet në gjyqin për vitet fiskale 2012-2014, i cili do të fillojë në 20 Nëntor”, thanë ata në një deklaratë për “Reuters”.
Akuzat e reja varen nga fakti se në vitin 2018, Shakira jetonte në Barcelonë me yllin e futbollit Gerard Pique dhe për këtë arsye iu kërkua të deklaronte të gjitha të ardhurat e saj atje. Ata argumentojnë se ajo në vend të kësaj, i ka devijuar paratë e saj te “kompanitë me banim në vende me taksa të ulëta dhe pa transparencë të lartë”.
Paralelisht, Shakira po përballet me gjyqin për 6 krime të dyshuara tatimore në Barcelonë këtë Nëntor, akuza të cilat ajo i ka mohuar. Ajo është akuzur se nuk ka paguar taksa në shumën prej 14.5 milionë Euro taksa midis 2012 dhe 2014.
“Kam besim se kam prova të mjaftueshme për të mbështetur çështjen time dhe se drejtësia do të mbizotërojë në favorin tim”, tha ajo në Shtator, në një intervistë për revistën “Elle”./tvklan.al