“Nuk është në interesin e Rusisë për të zgjeruar luftën”, ish-prezantuesi i Fox News interviston Putin

Intervista kritikohet nga gazetarët e huaj

Vladimir Putin ka dhënë intervistën e tij të parë për një gazetar amerikan që para luftës në Ukrainë. Gjatë intervistës me ish-prezantuesin e Fox News, Tucker Clarson, kreu i Kremlinit la të kuptohet se Moska nuk ka interes për të zgjeruar luftën. I pyetur gjatë intervistës nëse do të dërgonte trupa në Poloni, Putin përjashtoi një skenar të tillë.

“Vetëm në një rast, nëse Polonia sulmon Rusinë. Pse? Sepse ne nuk kemi asnjë interes në Poloni, Letoni apo kudo tjetër. Pse do ta bënim këtë? Ne thjesht nuk kemi asnjë interes”.

Putin u shpreh gjithashtu se Rusia kishte qenë në prag të arritjes së një marrëveshje me Ukrainën në prill 2022 gjatë negociatave të paqes në Stamboll, por kjo nuk u arrit për shkak se ish-kryeministri Boris Johnson e prishi atë. Ai pohoi se ish-kryeministri dekurajoi Zelenskin nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje. Megjithatë, ai sërish u shpreh optimist në arritjen e një zgjidhje në atë ardhmen.

“Kjo që do të them ndoshta do të duket e çuditshme duke pasur parasysh situatën aktuale, por marrëdhëniet mes dy popujve do të rindërtohen. Do të duhet shumë kohë, por do të rindërtohen”.

Para intervistës Carlson pretendoi se gazetarët e tjerë perëndimorë nuk kishin qenë të interesuar të intervistonin liderin rus megjithëse media BBC shkruan të kundërtën. Kjo deklaratë e tij u prit me kritika nga gazetarët e huaj.

“A mendon vërtet Tucker-i që ne gazetarët nuk jemi përpjekur çdo ditë ta intervistojmë Presidentin Putin që nga agresioni në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës?”, shkroi në rrjetet sociale gazetarja e CNN, Christiane Amanpour.

Disa thonë gjithashtu se Kremlini po e shfrytëzon intervistën për qëllime propagandistike veçanërisht në një kohë kur Rusia është në prag të zgjedhjeve presidenciale.

“Carlson duhet ta kuptojë se është pjesë e fushatës zgjedhore për president dhe fatkeqësisht do ta ndihmojë Putin”, është shprehur për Zërin e Amerikës, Mikhail Rubin, zëvendës kryeredaktor i gazetës investigative ruse “Proekt Media”.

Carlson është kritikuar nga gazetarët e huaj edhe për shpërfilljen e gjendjes së rëndë të lirisë së shtypit në Rusi. Shumë gazetarë janë arrestuar dhe shumë të tjerë janë detyruar të largohen nga Rusia. Gazetari amerikan Evan Gershkovich, që punon me gazetën “Wall Street Journal” u arrestua në mars të vitit 2023 nën akuza për spiunazh, të hedhura poshtë nga ai.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share