PAS XHAMBASKIT, DEKLARATA PROVOKATIVE EDHE NGA DEPUTETI KOSTADINOV
Notë të dytë verbale në ambasadën bullgare në Shkup, brenda vetëm tri ditëve, ka dërguar Ministria e Punëve të Jashtme, si shprehje e pakënaqësisë pas deklaratës së djeshme të liderit të partisë “Vozrazhdane” ose “Rilindja” Kostadin Kostadinov, i cili vendin e ka quajtur “shteti i dytë bullgar”. Para tri ditëve reagim i ngjajshëm vijoi pas videos fyese nga ana e eurodeputetit bullgar Angell Xhambaski. Ministria e Punëve të Jashtme sugjeron që në emër të fqinjësisë së mirë dënim të ketë edhe nga shteti bullgar.
Vetëm këtë javë Maqedonia e Veriut ka drejtuar dy nota verbale në ambasadën bullgare në Shkup, së pari për shkak të fyerjeve nga eurodeputeti Xhambaski, ndërsa sot për shkak të “irredentizmit” nga ana e liderit të partisë “Rilindja”, Kostadinov.
“Shprehim pakënaqësi të skajshme nga përmbajtja e deklaratës me pretendime irredentiste dhe territoriale ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut. Deklaratat e këtilla janë drejtpërdrejt të kundërta me qëllimin e të dyja shteteve për respektimin dhe nderimin e frymës së Marrëveshjes për miqësi dhe fqinjësi të mirë”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme RMV.
Gjatë përpjekjeve të pasuksesshme treditore për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit Popullor në Sofje, lideri i partisë “Rilindja” nga foltorja e Kuvendit, Maqedoninë e Veriut e quajti “shteti i dytë bullgar”.
“Jemi të obliguar ta mbrojmë interesin kombëtar bullgar të shtetit të dytë bullgar në Evropë – Maqedonisë, ose siç njihet tani, Maqedonia e Veriut,” është shprehur Kostadin Kostadinov, “Rilindja”
Përplasjet e këtilla diplomatike në relacionin Shkup – Sofje nuk sugjerojnë përparim të marrëdhënieve, përkundrazi, ashpërsimin e tensioneve të imponuara me bllokadën e negociatave aderuese të vendit më Bashkimin Evropian dhe një sërë kushtëzime prej më shumë se dy vitesh. Në këtë ka kontribuar edhe themelimi i disa klubeve të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut me emra provokativë, të cilët në këtë anë të kufirit sugjerojnë fashizëm dhe në të njëjtën kohë ndalesa e autoriteteve lokale në Blagoevgrad për regjistrimin e klubit të maqedonasve që jetojnë atje./KlanMacedonia/
Përgatiti: Biljana Gjeorgjievska