Që nga Prilli mbi 17,000 persona kane mbërritur nga kufiri jugor dhe shumë nga ata janë familje me fëmije
Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të fluksit të emigrantëve. Më shumë se 17,000 kanë mbërritur në qytet nga kufiri jugor që nga Prilli.
Shtetet republikane si Teksasi, Arizona dhe Florida kanë dërguar emigrantë në zonat demokratike muajt e fundit. Fluksi sipas asaj që raporton BBC vjen për shkak të një mosmarrëveshjeje me Shtëpinë e Bardhë.
Që nga Shtatori, mesatarisht pesë deri në gjashtë autobusë kanë mbërritur në qytet çdo ditë, ndërsa një në pesë persona në sistemin e strehimoreve të qytetit është aktualisht azilkërkues. Shumë nga ata që vijnë janë familje me fëmijë dhe kanë nevojë serioze për kujdes mjekësor.
Fluksi i emigrantëve pritet t’i kushtojë Nju Jorkut 1 miliard Dollarë këtë vit fiskal dhe kryebashkiaku po bën thirrje për fonde federale dhe shtetërore për të ndihmuar me kostot.
“Njujorkezët janë të zemëruar. Edhe unë jam i zemëruar. Ne nuk e kemi kërkuar këtë. Nuk ka pasur kurrë ndonjë marrëveshje për të marrë përsipër punën e mbështetjes së mijëra azilkërkuesve,” u shpreh Adams.
Sipas kryebashkiakut shërbimet sociale të qytetit po shfrytëzohen nga të tjerët për përfitime politike. Zyrtarët republikanë në shtetet kufitare thonë se masa është krijuar për të rritur presionin ndaj administratës së presidentit Joe Biden për të zvogëluar numrin e emigrantëve që kalojnë kufirin jugor të SHBA-së, i cili ka arritur një rekord të lartë këtë vit.
Qyteti i El Paso, Teksas, i drejtuar nga demokratët, u ka ofruar emigrantëve udhëtime falas në qytetin e Nju Jorkut dhe Çikagos si një mjet për të lehtësuar presionin mbi burimet e qytetit. Vetëm El Paso ka transportuar më shumë se dyfishin e numrit të emigrantëve gati 9,000. Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut lëshoi një urdhër ekzekutiv që lejon qytetin të japë burime për të mbështetur azilkërkuesit.
Klan News