Njohja de-facto, sipas njohësve të proceseve ndërkombëtare, nënkupton sjelljen konstruktive të shtetit në raport me sovranitetin e shtetit respektiv, ku me këtë rast sipas tyre, Serbia nuk mund ta pengojë Kosovën integrim në organizata ndërkombëtare, shuarjen e institucioneve paralele si dhe njohja e pikave kufitare.
Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare në vend kanë thënë se termi i njohjes de-facto përdoret për të treguar se një vend e pranon se një vend tjetër ekziston në realitet, por nuk është njohur në mënyrë zyrtare.
Profesori universitar, Avni Mazreku, tha se njohja de-facto nënkupton momentin kur një shtet heziton që të njohë një vend tjetër në mënyrë de-juru. Sipas tij, kjo njohje nënkupton që shteti nuk duhet t’i sjellë probleme apo pengesa në njohjen e dokumenteve zyrtare, njeh kufijtë e atij shteti etj.
“Njohjet e shteteve në të drejtën ndërkombëtare publike janë dy kategori, janë njohja de-juro e shtetit, do të thotë njohja në aspekti formal juridik, ku parlamenti i shtetit përmes një votimi përkatësisht ratifikimi, e aprovon njohjen formale të një shteti. Njohja de-facto, ku shteti heziton të ketë këtë elementin e parë që quhet njohje de jure, por merret një kontekst konstruktivitet në raport me sjelljen e atij shteti, për shtetin respektiv”.
“Në këtë rast nënkupton që shteti nuk duhet t’i sjell probleme apo pengesa në njohjen e dokumenteve zyrtare në rast të lëvizjes se qytetarëve. Njeh kufijtë e atij shteti, do të thotë nuk vë obstruksione për të kontestuar sovranitetin e shtetit. Sepse mungesa njohjes, njohja de-facto është antidot i sjellës destruktive të shtetit për të kontestuar sovranitetin e shtetit”, tha ai.
Mazreku shtoi se qëllimi kryesor i njohjes de-facto nënkupton sjelljen konstruktive të shtetit në raport me sovranitetin e shteti tjetër.
“Në terma të tjerë shteti sillet në atë formë që nuk krijon obstruksione në raport me sovranitetin e shtetit respektiv. Ky është qëllimi kryesor, njohja de-facto nënkupton sjelljen konstruktive të shtetit në raport me sovranitetin e shtetit respektiv. Në këtë rast për shembull Serbia në organizata ndërkombëtare nuk do ta përdoret kurrë votën kundër për anëtarësimin e Kosovës në ato organizata ndërkombëtare. Sot sovraniteti i shteteve artikulohet në raport me rolin e shteteve në organizata ndërkombëtare dhe dihet që Serbia që nga viti 2008 deri më tani ka investuar shumë në obstruksionet e ndryshme për me penguar Kosovën në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”.
“E dyta funksionimi i institucioneve paralele përkatësisht institucioneve të shtetit serb brenda territorit të Kosovës ato automatikisht do të duhej të shuheshin, për shkakun se ato janë instrument i sponsorizuar, i financuar nga shteti për të krijuar obstruksione në raport me sovranitetin e shteti të Kosovës. Njohja e pikave, përkatësisht e vijës kufitare të Kosovës nuk do të kualifikohej si njohje, si vij administrative dhe në zhargonin politik, diplomatik të Serbisë”, tha ai.
Profesori universitar, Dritëro Arifi, tha se kjo njohje de-facto nënkupton njohjen e një realiteti që ekziston, por në fakt që asnjëra palë, sipas tij, nuk do të thotë që mund të merr obligime ligjore.
“Njohja de-facto është njohja e një realiteti që ekziston por në fakt që as njëra palë nuk do të thotë që mund të merr obligime ligjore, pra këtu është dallimi. Serbia krejt çka mund të thotë verbarishtë që e njehë ekzistencën e një realiteti, por as fjalën Pavarësi mund mos ta përmend, ajo mund ta njehë pasaportën e Kosovës, por mos të ketë marrëdhënie të mira”, tha ai.
Arifi shtoi se duke marr parasysh sjelljet e shtetit të Serbisë ndaj Kosovës, njohja de-facto nuk i zgjidhe problemet, sipas tij, perëndimi nuk ka guxim që të kërkojë nga Serbia njohja e obligueshme ligjore.
Sipas tij, vetëm njohja e obligueshme ligjore, pra ajo de-juro, e qetëson rajonin, e ai shtoi se njohja de-facto është vetëm zgjatje e problemit.
“Me vendet si Serbia është problematike edhe njohja ligjore, vetëm njohja de-facto nuk e zgjidh problemin. Bindja ime është që perëndimi nuk po e ka guximin me shkuar të ajo njohja e obligueshëm ligjore, kjo do të ishte vetë perëndimi që ka kërkuar në fillim, sidomos letrat e dy presidenteve amerikanë do të ishte njohja ligjërisht e obliguar që i bie njohje de-juro, pra nga de-facto në de-juro. Sepse vetëm ajo në një farë forme e qetëson rajonin dhe mund ta ndryshojë mentalitetin ne Serbi, sepse garancione nuk ka as një herë. Njohja de facto është vetëm zgjatje e problemit”, tha ai.
Njohja de-facto iu është kërkuar Serbisë edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Ballkanin perëndimor, e cila tha se Kosova duhet të krijojë një Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kurse Serbia de-facto ta njohë Kosovën.