SPASOVSKI DHE KOVAÇEVSKI: KRENOHEMI ME KËTË FORMACION ELITAR POLICOR
Njësiti Special Antiterrorist Tigrat sot shënoi 42 vjetorin e themelimit. Gjatë këtyre viteve, në këtë njësit nuk është pranuar asnjë pjesëtar shqiptar. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, sic njofton KlanM, gjatë ceremonisë së këtij përvjetori, shprehi mirënjohje publike për aktivitetet operative që realizon ky njësit, si dhe numëroi avancimet e kushteve të punës që u kanë bërë, megjithatë, ai nuk përmendi aspak çështjen e përfaqësimit jo të drejtë etnik.
“Kur flasim për formacion elitar policor në sistemin e sigurisë së shtetit flasim për njësitin special antiterrorist Tigrat, në kuadër të Byrosë për Siguri Publike të MPB-së. Është nder i madh të jesh pjesë e shënimit të 13 marsit, ditës së themelimit të këtij formacionit tonë më të renomuar policor, i cili nga aspekti i profesionalizmit të të gjithë pjesëtarëve të saj në pjesën e realizimit të detyrave speciale, paraqet krenari të vërtetë jo vetëm për MPB-në, por përgjithësisht për qytetarët e Maqedonisë së Veriut” – Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Ndërkaq, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se, në pesë vitet e fundit njësiti Tigrat është në krye të planeve prioritare dhe koncepteve sa i përket zhvillimit dhe avancimit të shërbimit policor të sigurisë. As Kovaçevski, sic percjell KlanM, në fjalimin e tij, nuk përmendi çështjen e përfaqësimit etnik në këtë njësit.
“Ajo me të cilën krenohemi, është se, Njësiti Special Antiterrorist Tigrat me profesionalizëm e tij të lartë të kryerjes së detyrave, nuk dallon nga policitë evropiane. Jemi krenarë që shënoni rezultate të mira në të gjitha parametrat e punës. Duhet të vazhdoni edhe më tej, t’i përgjigjeni të gjitha sfidave bashkëkohore të sigurisë dhe kërcënime që janë të natyrës ndërkombëtare” – tha Kovaçevski.
Çështja e mospranimit të pjesëtarëve shqiptarë në këtë njësit, është ngritur disa herë nga mediat në vend. Por, edhe përskaj kësaj, qasja nuk ka ndryshuar.
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, sic njofton KlanM, pat deklaruar më herët se, nuk bëhet fjalë për diskriminin etnik, por në këtë njësit pranohen vetëm ata që plotësojnë kriteret. Madje, ai deklaroi se, në konkursin e fundit ishte paraqitur një shqiptar, megjithatë ai nuk kaloi, pasi nuk dinte not. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Teuta Buçi