Një tjetër eurodeputet italian përballet me akuzat “Katargate”

Andrea Cozzolino po lufton për ekstradimin dhe pritet të dënohet në një burg belg, një vendim që është kundërshtuar nga avokati i tij

Andrea Cozzolino, një eurodeputet në Italinë Jugore që nga viti 2009, që akuzohet për marrje ryshfeti nga vendet e huaja po lufton me ekstradimin e tij. Ai është një nga katër eurodeputetët të përfshirë në hetimin e Katargate, i cili përqendrohet rreth akuzave se Katari dhe Maroku kanë paguar një grup me bazë në Bruksel për të ndikuar ligjvënësit e BE-së.

Më 11 Prill, gjykatësit do të vendosin nëse Cozzolino do të lërë arrestin shtëpiak në qytetin jugor italian të Napolit dhe do të dërgohet në një burg belg sipas një urdhër-arresti evropian. Por avokati i tij për BBC-në është shprehur se po lobon që klienti i tij të mos vuajë dënimin në burgun belg për shkak të problemeve me shëndetin e tij.

Në disa dokumente të publikuara në Janar të këtij viti, thuhej se Cozzolino dyshohej se mbrojti interesat e shteteve të huaja në Parlamentin Evropian në këmbim të parave. Më pas, prokurorët lëshuan një urdhër arresti evropian për eurodeputetin. Ai u mor për pak kohë në paraburgim përpara se të vendosej në arrest shtëpiak.

Por avokati i tij, Federico Conte deklaroi se urdhri ishte plotësisht i paqartë, i pjesshëm dhe ndonjëherë i mungonte transparenca. Gjyqtarët në Napoli do të vendosin për ekstradimin e Cozzolinos të martën e ardhshme dhe e kanë shtyrë dy herë vendimin e tyre pasi presin më shumë informacion nga prokurorët belgë. Conte ka akuzuar gjithashtu shërbimin belg të burgjeve se është i mbipopulluar.

Ndërkaq, javën e ardhshme pritet që të shqyrtohet kërkesa për lirimin e ish-eurodeputetes Eva Kaili, e cila qëndron pas hekurave për korrupsion. Ish-eurodeputetja theksoi se nuk do të rrëfejë krimet që ajo pretendon se nuk i ka kryer.

“Nuk do të rrëfej kurrë krimet që nuk kam bërë, edhe nëse më bëjnë copë-copë,”- është shprehur ajo për mediat greke.

Eva Kaili mohon të jetë përfshirë në skandal dhe shprehet se është penduar që i ka besuar verbërisht, partnerit të saj. Nëse Kaili shpallet fajtore edhe në Greqi, dënimi i dhënë nga autoritetet gjyqësore vendase do të jetë më i rëndë se në Belgjikë ku dënimet fillojnë nga tre deri në pesë vjet. Nëse dalin prova që tregojnë për keqbërje dhe ajo shpallet fajtore, ajo mund të përballet me 15 vjet burg në Greqi.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share