Kryeministri Albin Kurti është takuar me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në ndërtesën e Qeverisë.
Ndonëse nuk pati ndonjë adresim për mediat para ose pas takimit, Kryeministria ka dërguar vetëm pamje nga ky takim, raporton Klankosova.tv.
Dje, zyrtari amerikan qëndroi në Beograd, ku u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, por edhe me “opozitën pro-evropiane”.
E në orët e mbrëmjes, ai mbërriti në Kosovë. Në rezidencën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ai takoi përfaqësuesit e partive politike në Kosovë: Memli Krasniqin (PDK), Lumir Abdixhikun (LDK) dhe Ardian Gjinin (AAK).
Ndërkaq nesër me fillim nga ora 10:00, në Ohër të Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit.
Në orën 10:30 do të nisin takimet bilaterale, ndërsa pas tyre pritet takimi trilateral mes Kurtit, Vuçiqit dhe Borrellit, i cili është i mbështetur nga i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Aty do të diskutohet mbi planin e zbatimit të marrëveshjes së njohur si propozimi evropian.
Ndonëse pritjet janë të mëdha për këtë takim, Vuçiqi ka deklaruar se nuk do të nënshkruajë asgjë nesër në Ohër. /Klankosova.tv