Nis takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel

Për herë të parë pas më shumë se katër muajsh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nisën takimin sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Fillimisht, dy liderët u takuan veçmas me përfaqësuesit e BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Temë diskutimi në takimin trepalësh do të jetë zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiç në muajin Shkurt.

Siç raporton REL, kjo marrëveshje me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë; kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, dhe i obligon ato që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kurti dhe Vuçiç, sipas axhendës që ka publikuar BE-ja, do të diskutojnë edhe për “çështjet aktuale”.

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje që t’i marrin seriozisht obligimet e tyre. Takimi vjen në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës

Situata atje është acaruar që nga fundi i majit. Atëkohë, grupe serbësh kanë nisur protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë në zyrat e komunave në veri.

Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të Prillit që janë mbajtur në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, por që janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Protestat në zonë janë shndërruar disa herë në përleshje të dhunshme, ku më të rëndat kanë qenë më 29 Maj, kur dhjetëra ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share