DO TË PREZANTOHET NIVELI I PËRPUTHSHMËRISË SË SISTEMIT JURIDIK ME ATË TË KOMISIONIT EVROPIAN
Në Bruksel, Maqedonia e Veriut hapi skriningun dypalësh treditor për kapitullin 24, “Drejtësia, liria dhe siguria”. Nga Sekretariati për Çështje Evropiane, njoftuan se në takim anëtarët e Grupit Punues do të prezantojnë qëndrimin dhe nivelin e përputhshmërisë së sistemit juridik të Maqedonisë së Veriut me përfaqësuesit e drejtorive të përgjithshme përkatëse të Komisionit Evropian në lidhje me migracionin, azilin, bashkëpunimin gjyqësor në çështjet civile, bashkëpunimin në fushën e luftës kundër drogës, bashkëpunimin në fushën e doganave, politikën e vizave, bashkëpunimi policor dhe lufta kundër krimit të organizuar.
Institucion kompetent për këtë kapitull është Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa grupin punues e udhëheq Koordinatorja e Kapitullit 24, shefja e sektorit për negociata dhe integrime evropiane pranë MPB, Svetlana Vllahoviq Dimanovska.
“Prezantimet e ekipit të Maqedonisë për kapitullin 24, në grupin 1, “Vlerat themelore”, do të zgjasin deri më 24 nëntor dhe do të ofrojnë një bazë solide për përgatitjen e raportit të shqyrtimit që Komisioni Evropian do ta përgatisë dhe do t’ia dërgojë Këshillit të BE-së për veprime të mëtejshme, të cilat do të varen nga dinamika e negociatave në këtë kapitull. /KlanMacedonia/