MASA KURSIMI PËR INSTITUCIONET SHTETËRORE
Në vigjilje të, sipas parashikimeve dimrit më të vështirë, në kohë të krizës ekonomike dhe energjetike pas Luftës së Dytë Botërore, nisin masat për kursimin e energjisë elektrike në institucionet shtetërore por edhe në amvisëritë.
Me masat që do të vlejnë deri më 31 Mars të vitit të ardhshëm, sipas planit të Qeverisë, harxhimi i rrymës nëpër institucione duhet të ulet për 15% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, me cka për gjashtë muaj pritet të kursehen 19.5 milion kilovat-orë energji elektrike
Masat parashikojnë çkyçjen e ndriçimit dekorativ të fasadave, aparatet e ftohjes të jenë deri në 27 gradë celsius, të ngrohjes jo më shumë se 20 gradë. Detyrimisht, pas përfundimit të punës, duhet të çkyçen dritat dhe kompjuterët kurse do të ulet edhe ndriçimi në rrugët publike.
Për amvisëritë dhe kompanitë janë paraparë vetëm rekomandime. Amvisëritë si masa kursimi duhet t`i shfrytëzojnë racionalisht dhe me tarifë të lirë aparatet e amvisërisë, ngrohjen qendrore, për ndriçimin e shtëpive të shfrytëzohen poça efikas energjetik LED, të hiqen nga rryma mbushësit e celularëve dhe laptopëve e të ngjashme.
Ndërkohë, Elektranat e Maqedonisë së Veriut u kanë bërë thirrje qytetarëve që t`u përmbahen masave për kursimin e energjisë elektrike, duke siguruar se do të bëjnë përpjekje maksimale që të prodhojnë sasi të mjaftueshme të rrymës deri në përfundimin e sezonit të ngrohjes. Sic thonë nga EMV-ja qytetarët duhet ta dijnë se me cdo kilovat-orë të kursyer, do të ketë më pak harxhime të qymyrit, mazutit dhe gazit, energjensa këto që janë shtrenjtuar për 100, 200 dhe 700%.
Qeveria ka njoftuar se maksimalisht kanë rritur prodhimin e energjisë elektrike dhe subvencionojnë cmimin e rrymës për qytetarët. Sipas Qeverisë, amvisëritë për rrymën paguajnë 20%, kurse 80% subvencionohet nga shteti. Autoritetet e vendit thonë se para nesh është një ndër dimrat më të vështirë në planin energjetik, por sigurojnë se nuk do të ketë restriksione të rrymës elektrike.