Ka filluar seanca e posaçme e Kuvendit të Serbisë, në agjendë të së cilës është Raporti për bisedimet me Kosovën nga 1 shtatori deri më 15 janar.
Në seancë është i pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kreu i shtetit serb paraprakisht kishte thënë se do të ishte mirë që në seancën e sotme të Kuvendit për Kosovën të arrihet sa më shumë unitet, por se nuk beson në këtë.
“Ne jetojmë në një formë demokratike të regjimit politik dhe është e natyrshme që njerëzit të mos pajtohen. Nuk është e natyrshme që ne të mos e kuptojmë njëri-tjetrin kur kemi përpara detyrat kryesore kombëtare dhe kur jemi në një kohë kur ndoshta është më e vështira për Evropën dhe botën që nga Lufta e Dytë Botërore, për ne që nga vitet nëntëdhjetë”, tha Vuçiq.
Në raportin që do t’u prezantohet deputetëve, theksohet se në periudhën nga shtatori deri në janar ka pasur përshkallëzim të krizës, raporton RTS, transmeton Klankosova.tv
Poashtu theksohet se Beogradi nuk do të heqë dorë nga kërkesa që urgjentisht të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe,
Gjithashtu vlerësohet se “në periudhën e kaluar ndërmjetësuesit e BE-së dhe subjektet tjera relevante ndërkombëtare e kanë karakterizuar Beogradin si palë konstruktive në të gjitha situatat e krizës”.
Deputetët e koalicionit qeverisës në Beograd thanë para seancës se Vuçiqi do të flasë për problemin e Kosovës në një seancë të posaçme të Kuvendit në mënyrë shtetërore dhe të përgjegjshme, por se, duke gjykuar nga deklaratat e politikanëve opozitarë, do të mungonte uniteti i nevojshëm.
Opozita, nga ana tjetër, vlerëson se seanca do të ketë kuptim nëse diskutohet për planin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe jo vetëm për raportin për dialogun Kosovë-Serbi, transmeton Klankosova.tv.