Ka nisur punimet samiti i radhës i “Ballkanit të Hapur” që mbahet në Beograd të Serbisë. Punimet janë hapur me fjalimin e Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili ka përmendur disa prej marrëveshjeve që do të firmosen sot mes tre liderëve; Kryeministrit Edi Rama, Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe Presidentit të Serbisë Vuçiç.
Ky i fundit ka shprehur dëshirën që kësaj nisme t’i bashkohen edhe vende të tjera të rajonit.
“Shpresoj që disa prej jush në të ardhmen do të jenë organizatorë të këtij eventi. Për ne kjo është e një rëndësie maksimale. Që prej momentit që kemi nisur këtë nismë më duket se asnjëherë nuk ka tërhequr kaq shumë vëmendje dhe energji. Më duket se masa se sa do të sigurojmë një bashkëpunim të mirë ekonomik varet nga suksesi i kësaj nisme. Ky takim është i pari pas çeljes së negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe dua t’i përgëzoj ata. Besoj që deri diku aq sa mundi Republika e Serbisë ndihmoi në arritjen e këtij objektivi. Ecuria që kemi arritur deri tani nuk është e vogël do gënjeja po të thoja që jemi të kënaqur me ritmin e progresit, më duket sikur mund të bëjmë më mirë. Krijimi i korridoreve të gjelbërta për transportin në rajon shkurtojnë orët. Autoritetet përkatëse të vendeve tona do bëjnë akoma dhe më tepër përpjekje për të ulur kohën e pritjes, do shtojmë deri në 2022 dy korsi të tjera që do përshpejtojnë lëvizjen në këtë pikë.
Po flasim për marrëveshjen për mekanizmin e produkteve themelore të Ballkanit Perëndimor, e që do të thotë secili nga vendet tona merr vendim të ndalojë produkte të caktuara në kuadër të Ballkanit të Hapur. Nëse Serbia e bën këtë, nëse Shqipëria e bën këtë, nëse Maqedonia e Veriut e bën këtë, kjo nuk do t’i referohet vendeve të tjera. Plani operativ për mbrojtjen civile për emergjencat. Edhe lëvizja me dokumente të identitetit është tjetër gur kyç. Tre vendet tona kanë treguar se një eveniment kaq i rëndësishëm e kaq i madh ka qenë i mundur të organizohet në nivelin e një klasi botëror, duke sjellë këtu kantina dhe prodhues botërorë. Kjo është bërë e mundur nga bashkëpunimi më i mirë midis vendeve tona”, u shpreh Vuçiç.
Presidenti serb solli në kujtesë edhe takimin e parë që pati me Kryeministrin Edi Rama pas 70 vitesh nga takimi i fundit i nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe Serbisë.
“Më kujtohet takimi pas 70 vitesh kur u takuam unë dhe Edi Rama, ishte një takim me një energji të jashtëzakonshme politike e diplomatike, ndërkohë që këto takime sot janë miqësore. Ka më shumë vizita të turistëve nga Shqipëria në Serbi dhe anasjelltas”, deklaroi Presidenti Vuçiç. /tvklan.al