Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen akset kryesore

Shpopullimi, qeveria teknike, ndalimi i Tik Tok dhe rritja e pensioneve dhe pagave, janë disa nga motivet që kanë nxjerrë sërish sot demokratët në protestën e pestë të mosbindjes civile. Ndryshe nga herët e tjera këtë herë protestës i bashkohet edhe kreu demokrat, Sali Berisha.

A2 CNN raporton se në këtë pikë ka një numër të shtuar qytetarësh.

Te Sheshi Wilson protestuesit kanë bllokuar rrethrrotulllimin, pavarësisht se policia ka njoftuar se bllokimi i rrugëve përbën vepër penale.

Po kështu edhe te Bashkia e Tiranës është paralizuar krejtësisht qarkullimi.

Edhe këtë herë demokratët janë shpërndarë në 5 pika dhe pritet që tubimi të zgjasë rreth tre orë. Kërkesa edhe në këtë protestë vijon të jetë e njëjtë, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Policia e Shtetit ka reaguar me anë të një deklarate ku bën të ditur se PD ka bërë kërkesë për 3 orë tubim, nga ora 17:00 deri në orën 20:00. Në reagim, policia thekson se garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve. Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni, thekson policia duke sugjeruar ndërkohë rrugë alternative për qytetarët.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share