Nigeri: Shqetësim në rritje për presidentin Bazoum në arrest

Në bashkësinë ndërkombëtare po rritet shqetësimi për shëndetin e presidentit të shfuqizuar në Niger, Mohamed Bazoum dhe familjen e tij. Junta ushtarake nuk tregon asnjë shenjë vullnetit të mirë.

BE dhe Kombet e Bashkuara bënë fjalë të premten për një “përkeqësim të kushteve të arrestimit”. I ngaruari i BE për politikën e Jashtmë, Josep Borrell deklaroi, se Mohamed Bazoum, gruaja e tij dhe djali 20 vjeçar prej ditësh janë pa rrymë elektrike, ushqim dhe kujdes shëndetësor në Niger. Kreu i Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken i tregua i tronditur që pushtembajtësit ushtarakë refuzojnë si një “shenjë të vullnetit të mirë” edhe lirimin të paktën të gruas së Bazoum dhe djalit. Në një telefonatë me ish-presidentin Mahamadou Isoufou Blinken shprehu “shqetësimin e madh për arrestimin joligjor të presidentit Bazoum dhe familjes së tij nën kushte të keqësuara.”

Baerbock bën fjalë për pengmarrje

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW) deklaroi se në ditët e para ka folur me Bazoum dhe me njerëz në rrethin e afërt të tij. Bazoumi, 63 vjeçar ka bërë fjalë për kushte jonjerëzore dhe mizore të arrestimit. Unioni Afrikan e quajti trajtimin e Bazoum “të papranueshëm”. Komisari i OKB për të drejtat e njeriut, Volker Türk kërkoi nga përgjegjësit “të respektojnë të drejtat e personave të ndaluar.”

Kurse ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock e cilësoi mbajtjen në arrest të presidentit dhe familjes së tij “pengmarrje”. Ajo kërkoi lirimin e tij dhe përshëndeti qëndrimin e Komunitetit Ekonomik Afrikanoperëndimor, ECOWAS ndaj puçit në Niger. Qëndrimi i vendosur i bashkësisë ndërkombëtare dhe Unionit Afrikan është “një shenjë e qartë e mbështetjes për demokracinë në Niger dhe më tej“. Gjermania mbështet përpjekjet për rikthimin e rendit kushtetues në Niger. Edhe Franca e SHBA i kanë bërë të ditur ECOWAS mbështetjen e tyre.

Unioni Afrikan në një samit të enjten ra në ujdi për krijimin e një trupe ndërhyrjeje në Niger për “rikthimin e rendit kushtetues”. Nuk u dhanë detaje, por në të njëjtën kohë u theksua se parësore është zgjidhja diplomatike. Më 26 korrik ushtarakët në Niger rrëzuan presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike në Niger dhe morën pushtetin. Në kryeqytetin Niamye kanë demonstruar edhe mijëra vetë mbështetës të pushtetmbajtësve të rinj me parulla kundër Francës e ECOWAS./DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share